E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hapësirat publike, Rama paralajmëron ndëshkime për shkelësit: Po bëjmë Rregulloren Kombëtare, më pas vjen Rilindja Urbane 2.0

Pas përfundimit të afatit të përcaktuar ndaj bizneseve për lirimin e hapësirave publike, Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se po hartohet Rregullorja Kombëtare për përcaktimin e qartë të kufijve. Ai theksoi se detyrimet e ndëshkimet do të jenë të forta, por sikurse shtoi kryeministri “duhet të kuptojmë se është Tiranë, jo Teheran e Iran”

“Ne po bëjmë rregulloren kombëtare që do vendosë qartë kufijtë. Kemi studiuar rregulloret e shumë qyteteve, ka qytete si Barcelona, Kopenhagen që i kanë me një masë metrash të caktuar.

Ne do i bëjmë shumë të qarta për të gjithë detyrimet edhe ndëshkimet”, deklaroi Rama në videomesazhin në rrjetin social Facebook.

Në kuadrin e denoncimeve ndaj zaptimit të hapësirave publike, Kryeministri njoftoi se do të hapet një portal “Hapësira ime”, ku qytetarët mund të adresojnë shqetësimet ndaj abuzimeve.

“Dërgoni denoncime, do hapet dhe një adresë e posaçme, një portal i posaçëm “Hapësira Ime” ku do mund të çoni denoncime në mënyrë të vazhdueshme”, tha Rama.

Në këtë kuadër, ai paralajmëroi Rilindjen urbane 2.0. Rama bëri me dije se janë ngritur grupet e punës që hapësirat publike të shndërrohet në të përshtatshme për komunitetin. “Mbrapa vjen rilindja urbane 2.0. Kemi ngritur grupet që hapësirat t’i kthejmë të bukura për komunitetin”, shtoi ai.

Kryeministri kritikoi më tej bashkitë, të cilat sipas tij janë angazhuar në mënyrë të plotë për vendosjen e çadrave dhe shezlongeve në plazhet publike. Për këto të fundit, Rama deklaroi se nevojitet përmirësim i kushteve për komunitetin.

“Ndëshkimet janë të rëndësishme, sepse kemi vendosur plazhet publike, jemi shumë më mirë se vjet, por jo ku duhet. Bashkitë nuk janë angazhuar në mënyrë të plotë për të vendosur çadra, shezllonet e tyre. Duhen përmirësuar kushtet. Plazhet publike s’mund të jenë thjesht territor bosh”, deklaroi Rama.

/rtsh.al.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›