E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dëmet nga moti prekin rëndë edhe kumbullën, pritet çmim i lartë shitjeje

Kushtet e vështira atmosferike këtë pranverë kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në prodhimin e kumbullës në Qarkun e Korçës, sidomos nga dëbora dhe ngricat në fazën e lulëzimit të pemëve.

Specialistët e bujqësisë raportojnë se këtë vit prodhimi është tepër i ulët dhe i përqendruar kryesisht në zonën e Devollit dhe te kultivarët e vonshëm, ndërkohë që shumica e pemëtoreve kanë pësuar dëmtime të ngjashme me ato të qershisë.

“Kumbulla pothuajse është dëmtuar totalisht, këtë vit, në përjashtim të disa zonave sikurse ajo e Devolit që mund të ketë pak prodhim. Pritej prodhim goxha i lartë, por ngricat e fundit dhe dëbora që ra në periudhën e lulëzimit e dëmtoi kulturën e kumbullës si edhe të qershisë”, tha Nevion Telha, specialist në sektorin e pemëtarisë në QTTB.

Për shkak të mungesës së frutit dhe dëmeve të regjistruara edhe në vendet fqinje, tregu i shitjes për kumbullën është i garantuar, por çmimi pritet të jetë më i lartë se zakonisht.

Kumbulla, ndonëse me rendiment të ulët këtë vit, mbetet një kulturë me potencial të qëndrueshëm për fermerët e zonës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›