Bizneset pa pare
Kushtet për të bërë biznes në Kosovë po rëndohen. Në mungesë të pagesave me para të gatshme, bizneset po aplikojnë edhe metodën e kompensimit mall me mall, duke zgjatur sadopak falimentimin që u kanoset çdo ditë.
Një nga sektorët më të prekur nga kjo dukuri është sektori i ndërtimeve.
Biznesmeni B. A nga Prishtina tha për Express se fuqia e pagesës ka rënë shumë.
Ai menaxhon një fabrikë betoni dhe biznesi i tij është i lidhur kryesisht me sektorin e ndërtimeve. Për shkak të krizës, ai deklaron se është i detyruar që në mungesë të pagesave me para në dorë për punën e tij ka pranuar kompensimin me apartamente, pasi që ndërtimtarët nuk janë në gjendje të paguajnë me para në dorë.
“Kompensimet po bëhen edhe me makina të shtrenjta, patundshmëri e materiale tjera të vlefshme. Transaksione të tilla ka pasur edhe më herët, por jo në këtë masë që është sot. Bizneset hyjnë në aranzhmane të tilla për arsyen e vetme se nuk kanë para. Me qëllimin që të mbijetojmë krizën dhe për të mbetur në treg, jemi të detyruar edhe pse jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është metoda më e mirë e aq më pak profitabile”.
Kjo gjendje, sipas tij, është thelluar dy vitet e fundit.
“Kam punuar në kompensim dhe në këmbim të betonit që për ndërtimtarët është artikulli më i domosdoshëm. Fatkeqësisht metoda e kompensimit tash shkon edhe deri në 60%”. Sipas biznesmenit B.A., kjo metodë po i ngufat bizneset.
Pronari i kompanisë më të madhe ndërtimore në Prishtinë, "Standard", Nebi Zariqi, thotë se kriza është evidente, por në sektorin e ndërtimeve, sidomos në ndërtimin e apartamenteve të banimit kjo nuk hetohet. Sipas tij, shitja e apartamenteve është në rregull, ndërsa ritmi i ndërtimeve vazhdon të jetë i njëjti sikur para dy vjetësh.
“Ju e shihni se ndërtimet janë në vlugun më të madh në Prishtinë si dhe qytete tjera. Pengesat më shumë janë të natyrës administrative në komuna me vonesat e lejeve për ndërtim”, tha ai.
Zariqi ka shtuar se në mungesë të parasë, kjo metodë po i detyron bizneset të gjejnë alternativa të cilat nuk janë gjithaq të favorshme.
Edhe kompania e tij aplikon metodën e kompensimit, por jo më shumë se 20 për qind në totalin e punimeve dhe vetëm atëherë kur janë të sigurt.
Tregoi se përkundër krizës, sektori i ndërtimeve nuk është i afektuar ashtu siç është menduar.
Mungesa e parasë së gatshme, sipas ekspertit të ekonomisë Xhevat Meha, është pasojë e mungesës së politikave monetare të BQK-së dhe të menaxhimit të dobët të sistemit financiar nga BQK-ja.
“Në krijimin e kësaj gjendjeje ka ndikuar edhe filozofia dhe strategjia e zhvillimit të bizneseve dhe menaxhimit financiar të vetë bizneseve. Në Kosovë mbizotëron filozofia e të bërit biznes me para ngado që mund të merren ato”, tha Meha.
Menaxhimi i mirë i financave, sipas tij, bëhet me planifikim financiar dhe me rezerva financiare.
“Bizneset tona nuk e përfillin këtë, dhe në këtë mënyrë përmes borxheve zinxhirore nuk po mund të krijojnë lëvizje biznesore. Ka disa vite që po lulëzon shkëmbimi mall me mall”. Meha mendon se kjo metodë e lëvizë biznesin, por kjo lëvizje është bukur e ngurtë dhe efektet e saj janë të kufizuara. Meha ka shtuar se shkëmbimi ‘mall me mall’ do të jetë në përdorim edhe për një kohe.