E Diel, 1 Nëntor 2026

KFOR: Porta në Jarinje është mbyllur

Nga Express më 28 korrik 2011 në ora 12:35

KFOR-i ka marrë përgjegjësinë e komandimit në kalimin kufitar të pikës doganore të Jarinjes dhe në Bërnjak.

KFOR-i ka njoftuar, nëpërmes një komunikate shtypi, se Porta 1, e cila u dogj mbrëmë nga turmat serbe, tashmë është mbyllur. “Infrastruktura është rëndë e dëmtuar dhe do të mund të shembet; për arsye të sigurisë atje, është rrezik i madh për njerëz”, theksohet në komunikatë, dhe shtohet se automjete të vogla private mund të kalojnë kufirin në rrezik të tyre.

Megjithatë, siç njofton KFOR-i, makinat private do të kontrollohen nga KFOR-i dhe bastisen për armë dhe gjëra tjera të ndaluara. Ndërkaq, siç thuhet në komunikatë, kamionët nuk janë të lejuar të futen.

Në Portën 31 në Bërnajk kontrollet gjithashtu janë shumë të rrepta për shkak të sigurisë.

“KFOR-i vazhdon të zbarkojë trupat e veta në tërë veriun në mënyrë që të mbajë një Ambient të Qetë dhe të Sigurt dhe Lirinë e Lëvizjes. Posaçërisht, duhet të respektohet rreptësisht liria e lëvizjes nga ana e të gjithë civilëve në Kosovë, veçanërisht në veri”.

KFOR-i zotohet se do të hetohen krimet, dhuna, djegjet dhe të shtënat që ndodhën ditën e djeshme.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, me mbështetje të plotë të autoriteteve të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare, thotë se “do të vazhdojë të qëndrojë i përkushtuar që të mbajë paqen dhe sigurinë në Kosovë, posaçërisht në veri”.

Buhler ka shprehur vlerësimin e tij personal për të gjithë ushtarët e KFOR-it të cilët e kanë kryer mirë detyrën. Ai ka theksuar gatishmërinë dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimit.

“Ushtarët e KFOR-it janë shumë të motivuar dhe të gatshëm të kryejnë detyrat e tyre”.

Buhler falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të të gjitha regjioneve. Shumica e qytetarëve në secilin regjion të Kosovës kanë qenë të qetë, paqësorë dhe të disiplinuar.

“Jam shumë krenar me popullin e Kosovës sepse nuk është përfshirë në dhunë dhe agresion”, thueht në komunikatën shpërndare medieve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›