“Biznesi” 3 mijë euro për provim, një pedagog para gjykatës
Tiranë Një pedagog i Fakultetit të Gjeologji- Minierave në Tiranë ka përfunduar në gjykatë, si i pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv. Sotir Tego, pedagogu nga Fieri, akuzohet nga njësia “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës për falsifikim dokumentesh nga persona që kanë detyrë t’i lëshojnë ato. Hetimi për pedagogun e Gjeologjisë në Universitetin Politeknik ka nisur menjëherë pas arrestimit të vëllait të tij, Pandeli Tego, i cili u kap në flagrancë duke marrë një shumë të konsiderueshme parash nga motra e një studenteje, në këmbim të marrjes së provimit. Hetimet e realizuara nga Prokuroria e Fierit vunë në dyshim rolin e pedagogut, i cili ka mohuar lidhjen me të vëllanë, që sipas prokurorisë akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Duke qenë se shuma e parave që vëllai i pedagogut ishte 3 mijë euro, organet hetimore kanë kaluar në sitë të gjitha rastet e “dyshimta” të provimeve në lëndën e pedagogut Sotir Tego. Më pas, prokuroria konstatoi se rastet e dyshimta të studentëve “ngelës” janë evidentuar në Tiranë, aty ku jep mësim pedagogu Tego. Për këtë arsye, dosja hetimore u përcoll pranë njësisë Task- Forcë në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka përfunduar hetimet ditën e djeshme, duke dërguar çështjen në Gjykatë. Dosja i është nënshtruar shortit elektronik, i cili ka përzgjedhur gjyqtaren Alkelina Gazidede, si gjyqtaren që do të shqyrtojë këtë çështje, ndërsa tashmë pritet nisja e procesit gjyqësor. Fillimisht, denoncimi u bë nga një studente e Tegos, në emisionin “Fiks Fare”, e cila pretendonte se i janë kërkuar 3 mijë euro për marrjen e një provimi. Pas denoncimit është bërë i mundur filmimi i një bashkëbisedimi mes motrës së studentes dhe vëllait të pedagogut, bisedë kjo e realizuar në qytetin e Fierit. Sipas përgjimit rezulton se Tego ndërmjetësonte me një studente të Inxhinierisë së Naftës, së cilës i premtonte se do të merrte provimin, në rast se do i jepte 3 mijë euro. Pamjet kanë mundur të fiksojnë edhe momentin kur vëllai i pedagogut, Pandeli Tego, merr nga motra e studentes shumën prej 3 mijë eurosh. Kaq mjaftoi që policia të prangosë në flagrancë vëllanë e pedagogut, ndërsa hetimet kanë përfshirë në të gjitha rastet e dyshimta. Dëshmia e studentes ka treguar se nga shokët dhe shoqet e saj ka mësuar se pedagogu i merrte paratë nëpërmjet vëllait të tij, çka e ka detyruar të kontaktojë me të, madje të ofrojë edhe shumën e tre mijë eurove në këmbim të provimit. Sipas studentes, thuhet se ajo ka dhënë dy herë provimin në lëndën e Mekanikës së Fluideve, por nuk e ka marrë duke rrezikuar kështu edhe diplomën. Nga hetimet e prokurorisë është bërë e mundur të zbardhet tërësisht ky rast, që implikon edhe pedagogun e kësaj lënde, i cili tashmë akuzohet për korrupsion. Gjithashtu, nga verifikimet që prokuroria ka kryer në fakultetin ku jepte mësim pedagogu, janë vërejtur edhe korrigjime në procesverbalet e notave, duke falsifikuar kështu rezultatet. Indiciet e para të siguruara nga prokuroria hidhnin dyshime të forta për rolin e pedagogut dhe për këtë arsye, në fund të vitit të shkuar, Prokuroria e Fierit i ka kërkuar gjykatës të pezullojë nga detyra e pedagogut, Sotir Tegon.