E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shfajësohen” trangujt, bartës të E. Coli fasulja dhe soja

U deshën 5 javë alarm dhe panik, me 30 të vdekur, për të zbuluar shkakun e saktë të epidemisë së shkaktuar nga bakteri E.Coli, që ka terrorizuar Gjermaninë, por edhe Europën. Sipas burimeve zyrtare gjermane, shkak i kësaj epidemie janë bërë filizat e sojës dhe bishtajoreve të tjera si bizelet dhe fasulja, të prodhuara nga kompania Gaertnerhof në veri të Gjermanisë. Rehabilitohen kështu prodhimet e kastravecave dhe domateve, që fillimisht u etiketuan si fajtorë. Njoftimi është dhënë nga Reinhard Burger, kreu i qendrës gjermane për kontrollin e sëmundjeve. Sipas tij, qeveria gjermane do të tërheqë vendimin për të ndaluar konsumimin e kastravecave, domateve dhe sallatës, por do të mbetet në fuqi ai për filizat e sojës. Burger konfirmoi se kush ka ngrënë filizat e sojës është i ekspozuar 9 herë më shumë sesa të tjerët ndaj epidemisë. Por, kjo e fundit, gjithsesi nuk ka përfunduar. Tashmë ka arritur në 31 bilanci i viktimave nga bakteri E.Coli, 30 prej të cilëve vetëm në Gjermani. Ndërkohë janë 759 rastet e konfirmuara nga autoritetet gjermane, ndërsa numërohen 2988 persona të prekur nga epidemia.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›