Pranga në Itali ish-shefes kontabël, vodhi gjykatën
Arrestohet nga policia italiane, pas shumë hetimesh e gjurmimesh, 47-vjeçarja Mimoza Lugjaj. Për tetë vjet me radhë kishte mundur t’u shpëtonte prangave
Tiranë Një 47-vjeçare i kishte shpëtuar për 8 viteve prangave, për t’u arrestuar dje në Itali, për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash nga Zyra e Ekzekutivit të Gjykatës së Kavajës. Mimoza Lugjaj, 47-vjeçarja nga Peshkopia, më 2 dhjetor 2002 shfrytëzoi pozicionin e saj si shefe kontabël, duke arritur të vjedhë një shumë të konsiderueshme në para. Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se zyra e Interpol Tiranës informon se më datë 09.06.2011, në Alessandria të Italisë është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, Mimoza Lugja”. Gjykata e rrethit Kavajë, me vendimin nr. 20, datë 08.02.2005, e ka dënuar Mimoza Lugjajn me 5 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikimit të dokumenteve” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. Sipas mediave italiane mësohet se Lugjaj ishte në kërkim nga policia italiane, që prej prillit të kaluar, kur agjentët e Krimit të Organizuar dhe të Huaj të Kuesturës së Alessandrias nisën aktivitetet hetues për ta gjetur. U deshën verifikime, analizat e vendeve të frekuentuara nga gruaja dhe vëzhgime të gjata, aq sa u bë e mundur gjetja e saj në Bollate të Milanos, aty ku po mundohej të fshihej dhe ku u arrestua përpara spostimit tjetër të mundshëm. Ishte e vështirë për agjentët ta njihnin nga fotot sinjalizuese të dërguara nga Kuestura e Alesandrias, bashkë me mandat-arrestin ndërkombëtar. Për këtë arsye, përpara se të prangosej, gruaja u dërgua në kazermë. Falë zbulimeve të Policisë Shkencore, aty policët kanë marrë sigurinë se bëhej fjalë pikërisht për Mimoza Lugjajn dhe i paraqitën urdhrin e ekzekutimit të dënimit që ka dalë më 8 janar 2003 nga gjykata e Kavajës. Lugjaj ishte dënuar në mungesë atëherë, sepse konsiderohej përgjegjëse e abuzimit me detyrën zyrtare dhe pronësimit në mënyrë të paligjshme të një shume parash, prandaj tani duhet të vuajë rreth 5 vjet burg. Pas identifikimit, 47-vjeçarja shqiptare është dërguar në Burgun e Vercellit, para se të ekstradohej drejt Shqipërisë. Th.Samarxhiu