E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi, Dhoma Amerikane kundërshton Financat

Afati ligjor për përfitimin e faljes së gjobave dhe kamatëvonesave përfundon më 7 prill. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri : "Po penalizohen bizneset që i drejtohen gjykatës me ankesa". 

TIRANE-Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është thellësisht e shqetësuar për interpretimin që po i bëhet së fundmi ligjit të amnistisë fiskale nga qeveria shqiptare, duke krijuar premisa përjashtuese për një kategori biznesesh që kanë guxuar të çojnë pretendimet e tyre para gjykatës. Kjo Dhomë dje, me anë të një letre të hapur, u ka kërkuar organeve tatimore dhe doganore një zbatim korrekt dhe jo përjashtimor të ligjit ekzistues, duke mos penalizuar kategorinë e bizneseve, të cilat janë duke ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për t'iu drejtuar gjykatës.
Philip H. Bay, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë, u drejtohet ministrit Bode, zv/ministrit Mima dhe drejtuesve të Tatimeve e Doganave, Papajani e Dervishi, duke shprehur shqetësimin e anëtarëve të kësaj shoqate biznesi. Nga kontaktet me drejtues të Tatimeve dhe Doganave, anëtarët e Dhomës Amerikane kanë konstatuar se tatimpaguesve që duan të përfitojnë nga ligji "Për amnistinë fiskale", u kërkohet të heqin dorë (nëse e kanë filluar apo duan të fillojnë) nga apelimi administrativ apo gjyqësor kundër vlerësimeve tatimore apo doganore. Nëse zbatohet në këtë mënyrë, atëherë tatimpaguesit humbasin të drejtën për të apeluar vlerën e principalit, në kurriz të përfitimit nga amnistia për gjobat dhe interesat. "Ky interpretim i ligjit 'Për amnistinë fiskale' dhe udhëzimit përkatës është në kundërshtim me qëllimin e 'Amnistisë Fiskale' dhe dispozitat në fjalë, dhe ne besojmë se ky nuk ishte qëllimi i hartuesve të ligjit", - thekson Bay. Neni 2 i ligjit parashikon se në rastin e detyrimeve tatimore/doganore të njoftuara rregullisht, kushti i vetëm që duhet përmbushur për përfitimin e amnistisë mbi gjobat dhe interesat është pagesa e principalit të detyrimit brenda një afati 6-mujor nga hyrja në fuqi e ligjit. Për më tepër, paragrafi 2.4 dhe paragrafi 2.6 të Udhëzimit parashikojnë se do t'u falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat edhe tatimpaguesve (debitorëve në rastin e detyrimeve doganore) që janë në proces apelimi apo në proces gjyqësor, nëse është paguar apo do të paguhet shuma e detyrimit (principalit) brenda 6-muajve nga hyrja në fuqi e ligjit", thuhet në letër.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›