E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vila e re qeveritare, teleskop dhe tualet me kondicioner

Gazeta Shqiptare shpjegon sot ne nje artikull se bëhet fjalë për Vilën qeveritare të pushimit veror Nr.1 në Vlorë, e cila shumë shpejt ka për t’u shndërruar në godinën më luksoze në të gjithë vendin 

TIRANE-Në kontrast të skajshëm me varfërinë e mjerimin në të cilin jetojnë shumica e shqiptarëve, qeveria është duke keqpërdorur fondet publike për të jetuar në luks. Janë 108 milionë lekë të vjetra që ekzekutivi ka planifikuar për t’i bërë “peshqesh” kryeministrit Berisha “një pallat ëndrrash”. Gazeta Shqiptare shpjegon sot ne nje artikull se bëhet fjalë për Vilën qeveritare të pushimit veror Nr.1 në Vlorë, e cila shumë shpejt ka për t’u shndërruar në godinën më luksoze në të gjithë vendin. Në dokumentet e tenderit për rikonstruksionin e saj, aty është parashikuar të ndërtohen dy pishina, një e jashtme dhe një e brendshme. Ato do të shtrohen me pllaka ‘gress porcelanat, dopjo koture’ të tipit mozaik.. Këto pishina, ku pritet të lahet kryeministri i vendit, do të jenë me drita nga poshtë dhe me butona për ndryshimin e ngjyrave sipas preferencave të shefit të qeverisë. Ato gjithashtu do të jenë të pajisura me sistem telefonik, ndërsa luksi do të kapë nivelet e çmendurisë për sa kohë është parashikuar që në pishina të ketë dhe sistem për fikjen e zjarrit. Luksi mandej zhvendoset tek banjat e kësaj vile qeveritare, të cilat do të pajisen me kondicionerë. Kurse sa u përket ËC-ve, bideve dhe lavamanëve, dokumentacioni i tenderit sqaron se ato do jenë me mermerë dhe dru. Banja do te kete vaske hidromasazhit të jetë e tipit JACUZZI . Në të gjithë vilën do ndërtohen tre oxhakë dekorativë, ndërsa pjesa më e madhe e mureve do të jetë me pasqyra. Ne luksin e viles qeveritare nuk do te mungoje dhe një teleskop, që çuditërisht parashikohet në tenderin për rikonstruksionin e godinës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›