E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi; Të bëhen ndryshime në ligjin “Antimafia”, që të mos frenohen investimet



Komuniteti i biznesit prodhues kërkon të bëhen ndryshime në ligjin “Antimafia” para miratimit tij, pasi ai do të bëhet shkak për të frenuar investimet në vend. Konfindustria duke u nisur nga sjellja e ligjit “Antimafia” për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë shpreh domosdoshmërinë e ndryshimeve në përmbajtjen e tij përpara miratimit përfundimtar të tij në seancë plenare. Sipas këtij grupi të biznesit, zbatimi i këtij ligji në formën e paraqitur do të kishte pasoja në uljen e të hyrave nga emigrantët, largim të kapitaleve dhe frenim të iniciativës investuese në vend, aq shumë të nevojshme për zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit dhe sidomos përballjes me pasojat e krizës globale financiare. Sipas këtij komuniteti, ligji në fjalë, për thelbin dhe më shumë për pasojat, që mund të sjellë në zbatimin e tij, është nga aktet ligjore më të ndjeshme, që rrallëherë mund të jenë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe për këtë arsye duhet kushtuar kujdes i veçantë. Konfindustria parimisht nuk e kundërshton ligjin në fjalë, duke e vlerësuar si masë të luftës kundër krimit të organizuar. Aq më shumë nuk mund të kundërshtohet, kur ekzekutivi sjell si arsyetim shtesë, se një ligj i tillë është tregues i efektshëm në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian si dhe është gjithashtu një detyrim për procesin e integrimit të vendit në BE. Ndërkohë, nëse do të studiojmë më në thellësi arrijmë në përfundimin se pikërisht zbatimi i një ligji të tillë në Shqipëri, në një mjedis institucional dhe një realitet ekonomik, që ndryshon krejtësisht nga vendet e BE-së, që sillen si krahasim, mund të sjellë pasoja krejtësisht të kundërta me vetë qëllimin e krijimit të tij. Të mos harrojmë, se me termin “nivel i pajustifikuar ekonomik” mund të shkohet deri aty sa të vihet në dyshim pasuria praktikisht e një shumice dërrmuese të bizneseve dhe pothuaj një shumice qytetarësh shqiptarë, që në masë mjaft të madhe janë në emigracion prej pothuaj 20 vjetësh dhe që në shumë raste kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për arsye objektive të padëshirueshme në "të zezë". Një gjë e tillë vlen edhe për shumë nga bizneset në Shqipëri, që fillimin e punës së tyre e kanë pikërisht me kapitale të fituara në të njëjtën mënyrë. Nëse do të vazhdojmë arsyetimin e mësipërm, arrijmë në përfundimin se të ardhurat e siguruara në kushtet e mësipërme të punës së shqiptarëve, nëse do të vlerësoheshin në bazë të ligjeve në fuqi, do të klasifikoheshin pa mëdyshje si “të zeza”, ndërsa sipas këndvështrimit të projektligjit në fjalë mund të emërtohen edhe si “të siguruara në mënyrë kriminale” dhe si rrjedhim duhet të konfiskohen nga shteti. Ajo që për biznesin e bën të ndjeshëm projektligjin në fjalë është se barra e provës kalon për t’u provuar nga subjektet e akuzuara dhe jo nga organi i akuzës. Ata e konsiderojnë këtë si “thembrën e Akilit”, që prek rëndë të gjitha subjektet/biznes dhe individë pa përjashtim nëse janë të inkriminuar apo jo. Duke shtuar këtu dhe dobësinë e ndjeshme institucionale të Shqipërisë në kushtet e mësipërme rrezikohet që të ndryshojë në të kundërtën e tij qëllimi i mirë i sjelljes së ligjit. Konfindustria mendon se është domosdoshmëri përmirësimi i projektit në fjalë. Kërkohet parashikimi i domosdoshëm i kushtëzimit në ligj të zotërimit paraprak nga ana e institucioneve shtetërore, të provave të prekshme dhe bindëse fillestare, që tregojnë për veprimtari kriminale të subjektit, biznesit dhe qytetarit për të filluar procedimin ligjor të mëtejshëm.

Shkodër

Biznesi dhe shoqëria civile mbështesin miratimin

e ligjit për Gjykatat Administrative

Komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile në Shkodër kërkojnë që të miratohet sa më parë ligji për Gjykatën Administrative. Tryeza e rrumbullakët me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile në Shkodër, e organizuar nga Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative, i drejtoi një thirrje Parlamentit shqiptar që të miratojë sa më shpejt ligjin për Gjykatat Administrative. Në peticionin e nënshkruar për këtë qëllim vihet në dukje se sistemi i Gjykatave Administrative do të jetë një mekanizëm i efektshëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat ligjore të të gjithë qytetarëve lidhur me çështje që kanë të bëjnë me punësimin në institucionet shtetërore, prokurimet publike, tatimet, doganat, pensionet, regjistrimin dhe licencimin e biznesit, regjistrimin e pasurive të patundshme, apo dhe kthimin e kompensimin e pronave. Tryeza e rrumbullakët nënvizoi dhe rëndësinë që në momentin e miratimit të projekt-ligjit nga Parlamenti, qeveria të ketë planifikuar buxhetin e duhur për ngritjen e gjykatave administrative gjatë vitit 2010, si dhe të ketë përcaktuar mjediset ku do të veprojnë gjykatat administrative. Pjesëmarrësit në tryezë vunë në dukje se projektligji për Gjykatat Administrative, i cili është tashmë në programin e punës së Parlamentit shqiptar, është përgatitur me ndihmën e ekspertëve nga Bashkimi Evropian dhe përfshin gati të gjitha rekomandimet e bëra nga ekspertët e qeverisë, të opozitës dhe nga ekspertë të huaj. Tryeza e rrumbullakët, e cila është pjesë e veprimtarive të planifikuara nga Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative në të gjithë vendin, u organizua edhe me përkrahjen e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II, një marrëveshje dyvjeçare mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe e administruar nga USAID.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›