E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetësor; Studentët do të vlerësojnë pedagogët për çdo lëndë



Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, ka paralajmëruar krijimin e një sistemi vlerësimi për pedagogët dhe lëndët nëpërmjet pyetësorëve që do të plotësohen nga studentët për çdo lëndë

Studentët do të vlerësojnë çdo pedagog dhe çdo lëndë në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës, duke nisur nga muaji janar. Lajmin e bëri të ditur rektori i këtij universiteti, prof. dr. Dhori Kule, gjatë takimit të zhvilluar në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Arsimit.

Duke marrë për bazë modelet e suksesshme anglosaksone dhe të Evropës Kontinentale, prof. dr. Dhori Kule, paralajmëroi se studentët do të vlerësojnë pedagogët e tyre dhe modulet mësimore, në çdo fund-semestër, si mënyra më e mirë për të mundësuar feedback-un e studentëve ndaj dijeve që ata marrin.

“Në fund të semestrit të parë të këtij viti akademik në të gjitha lëndët të të gjitha departamenteve të Universitetit të Tiranës studentët do të plotësojnë një pyetësor dhe do të vlerësojnë pedagogët dhe modulet. Ne dëshirojmë që me këtë risi edhe ato elemente të sistemit lindor që kanë mbetur në sistemin tonë arsimor të zhduken dhe të përmirësohen, nëpërmjet këtyre pyetësorëve”, - tha rektori Kule.

Në këtë takim merrnin pjesë edhe zëvendësambasadorja amerikane në Tiranë, Deborah Jones, si dhe studentë të këtij universiteti. Gjatë fjalës përshëndetëse, rektori Kule shprehu gatishmërinë për mbështetjen e studentëve gjatë gjithë kohës dhe me të gjitha mundësitë.

Sipas rektorit Kule, studentët janë në qendër të universitetit dhe për këtë arsye strukturat drejtuese të tij, duhet të angazhohen për të krijuar të gjitha kushtet e përshtatshme për studentët.

Zëvendësambasadorja Jones vlerësoi ndryshimet e bëra në sistemin arsimor shqiptar dhe theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe institucioneve arsimore në mbarë botën. Me këtë motiv është krijuar edhe Java Ndërkombëtare e Arsimit, sipas znj. Jones.

“Një fjalë kyçe në sistemin tonë të edukimit është shkëmbimi, qoftë i ideve, informacionit apo njerëzve”, - tha zëvendësambasadorja Jones. Znj. Jones lajmëroi për bursat e ndryshme që ofron Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet ambasadës në Tiranë.

Të pranishmit biseduan edhe për bursat që ofrohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mënyrat e aplikimit dhe kriteret e vendosura.

Java Ndërkombëtare e Arsimit është një nismë e qeverisë amerikane, përkatësisht e Departamentit të Arsimit dhe Departamentit të Shtetit. Ajo festohet në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe në më shumë se 100 vende të tjera të botës, me ndihmën e SHBA-ve.

Maqedoni, mbërrijnë vaksinat e gripit të derrit

Në Maqedoni kanë mbërritur pesë mijë dozat e para të vaksinës kundër virusit A/H1N1 dhe se ato do të shfrytëzohen për vaksinimin e mjekëve dhe stafit të Klinikës Infektive në Shkup dhe pjesa tjetër për personin tjetër mjekësor në mbarë vendin, duke përfshirë këtu edhe ministrin Bujar Osmani, i cili ka thënë se do të përfshihet në fazën e parë të vaksinimit. Ministri Osmani ka paralajmëruar se gjatë ditëve të ardhshme pritet të mbërrijë kontigjenti i ri i dozave të vaksinave. Ai ka shtuar se qytetarët duhet t`i përgjigjen ftesës për vaksinim, sepse nuk ka nevojë, sipas tij, për shqetësime apo frikë. Nga Klinika Infektive dje kanë njoftuar edhe për 22 raste të reja të personave të infektuar nga virusi A/H1N1. Numri i deritanishëm i të infektuarve shkon rreth 400 veta, ndërsa gjatë dy ditëve të fundit u regjistrua edhe viktima e parë nga ky virus.

AI: Fëmijët, jo në jetimore kur nuk është e nevojshme

Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International, u bëri thirrje autoriteteve të Shqipërisë të marrin masa që fëmijët të mos dërgohen nëpër jetimore, kur nuk është e nevojshme. Organizata shprehte në një deklaratë të publikuar sot shqetësimin se varfëria në Shqipëri mbetet një nga arsyet kryesore për dërgimin e fëmijëve nëpër jetimore.

“Shumë prej këtyre fëmijëve, - thuhet në deklaratë, - kanë prindër ose të afërm të tjerë të afërt, por familjet e tyre nuk janë në gjendje t’i mbajnë ata”.

Organizata i bën thirrje qeverisë t’u japë më shumë ndihmë familjeve të tilla që të mund të kujdesen për këta fëmijë në gjirin e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›