Prifti dhe D’Elia, vizitë në 3 kompani të financuara nga kredia italo-shqiptare
Dritan Prifti, ministër i METE-s dhe z. Saba D’Elia, ambasador i Italisë në Shqipëri, kanë vizituar dje tre kompani të financuara nga Linja e Kredisë Italo-Shqiptare për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri. Ata kanë zbritur në terren për të parë nga afër realizimin e projekteve që financohen nga kredia italiane, e arritur në sajë të një bashkëpunimi të frytshëm dhe gjithmonë në rritje midis dy qeverive italiane dhe asaj shqiptare. Po kështu, vizita synon të promovojë linjën e kredisë, me normë të butë interesi, me qëllim zhvillimin e sektorit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri, si dhe promovimin e rasteve konkrete të financimit të kompanive shqiptare, ndër të cilat janë përzgjedhur këto dy kompani me qendër aktiviteti në zonat rurale dhe në sektorë pritoritarë si agropërpunimi. Programi italo-shqiptar për zhvillimin e SME-ve në Shqipëri ka akorduar një kredi për këto lloj biznesesh. Qeveria shqiptare dhe ajo italiane, më datë 08/06/2005, kanë firmosur një marrëveshje për realizimin e një programi për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) shqiptare. Programi ka një financim rreth 30 milionë euro që përfshin: 25 milionë euro kredi e butë dhe përbëjnë fondin për linjën e kredisë në favor të NVM-ve; 2.5 milionë euro Fondi i Garancisë që mundëson NVM shqiptare të kenë një mundësi më të madhe për të marrë kredi dhe 1.7 milion janë dhuratë për aktivitete të asistencës teknike. Programi i përbashkët italo-shqiptar u çel zyrtarisht në janar 2009 dhe për realizimin e tij janë nënshkruar marrëveshje me pesë bankat partnere (Credins, BKT, Tirana Bank, Raiffeisen Bank, BIS Banka) dhe bankën agjente, Intesa SanPaolo. Deri më 13 nëntor 2009 janë financuar 14 kompani në një vlerë totale financimi 3.4 milionë euro dhe me norma interesi 5.5%. Kompanitë e financuara operojnë në sektorë: si prodhimi i këpucëve, përpunim mermeri dhe graniti, përpunim agrobujqësor dhe ushqimor, prodhime duralumini, përpunim druri si dhe punime nëntokësore, dhe janë me qendër në zonat rurale si Lushnjë, Korçë, Krujë, Berat, Patos-Fier, Shkodër si dhe Tiranë.
Ministri Prifti dhe ambasadori D’Elia kanë vizituar tre kompani, që janë shoqëria “Ermandi” sh.p.k., me qendër në Lushnje, e cila ka si objekt të aktivitetit prodhimin dhe tregtimin me shumicë dhe pakicë, import–eksportin e mallrave industriale, ushqimore, kryesisht nënprodukteve të qumështit. Në 2009 kompania ka përfituar nga linja e kredisë së programit italo-shqiptar për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri, një shumë prej 170.000 eurosh; nëpërmjet këtij investimi kompania ka blerë një linjë të re prodhimi, makineri, pajisje dhe përshtatjen e fabrikës për certifikimin HACCP. Po kështu u vizitua dje shoqëria “Përpunim Mermer Graniti” sh.p.k me qendër në Lushnje. Kompania është e specializuar në përpunimin e mermer-granitit, ajo në 2009 ka përfituar nga linja e kredisë së programit italo-shqiptar për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri një shumë prej 500.000 eurosh; nëpërmjet këtij investimi kompania ka blerë një linje të re prodhimi për përpunimin e mermerit, të gjitha makineritë dhe pajisjet me origjinë italiane. Kompania e tretë e vizituar nga ministri dhe ambasadori italian ishte shoqëria “Picari” sh.p.k., me qendër në Patos (Fier), ushtron aktivitet në sektorin e prodhimit të konfeksioneve dhe këpucëve me regjim fason. Prodhimi realizohet bazuar në porosinë e klientëve të ndryshëm nga Italia, Gjermania, Greqia, Maqedonia etj. Kompania “Picari” ka përfituar nga linja e kredisë së programit italo-shqiptar për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri një shumë prej 300.000 eurosh.