Biznesi i vogël dhe lotët e krokodilit
Kur dëgjon kryetarin e opozitës që u qan hallin sipërmarrësve të vegjël, të vjen të thuash: “Po ku ish gjer dje ky far sokoli, që ua dyfishoi taksat e pastrimit dhe të gjelbërimit në Tiranë pikërisht këtyre sipërmarrësve për të cilët po derdh lot sot?”. Po cila është logjika e ankesës opozitare? Vetëm ekonomike ajo nuk mund të jetë. Kryetari i opozitës thotë se biznesi i vogël do të paguajë taksa 22 për qind më shumë, duke futur këtu edhe Taksën për Vlerën e Shtuar (TVSH-në). Mirëpo harron se TVSH-në në asnjë vend të botës nuk e paguan si taksë biznesi, por konsumatori i fundit. E paguajmë ne qytetarët. Biznesi vetëm e merr këtë taksë në formën e çmimit të arkëtuar dhe ia kalon qeverisë, pse qeveria nuk mund ta marrë drejtpërsëdrejti nga ne, qytetarët, në momentin kur kryejmë blerjen (ajo nuk mund të ketë një përfaqësues të tatimeve të saj në çdo pikë shitjeje të biznesit). Kjo është mënyra që ka zgjedhur e gjithë bota për të mbajtur arkën e shtetit, pse TVSH aplikohet pikërisht në 150 vende të botës. Qeveria pastaj ia rimburson biznesit më vonë këtë taksë të vjelë. Tatimet shqiptare në dy vitet e fundit kanë rritur me tre herë shpejtësinë e rimbursimit të TVSH-së dhe në këtë drejtim janë bërë tërësisht të besueshme. Pra, biznesi i vogël as nuk preket, as nuk rëndohet. Mirëpo nëse biznesi vetë nuk del dhe ulëret nëpër rrugë, mendon për të opozita. A mos vallë i dhimbset dhe po mendon se si do t’ia bëjë sipërmarrësi i vogël i shkretë me modernizimin e tregtisë, me hapjen e qendrave të mëdha tregtare që po e konkurrojnë ushqimoren apo dyqanin e mishit të pallatit, bllokut apo lagjes? Jo aspak. Deri tani nuk kemi parë një përfaqësues të vetëm të opozitës të flasë për këtë konkurrencë të fortë dhe për këtë rrezik për biznesin e vogël. Për programet dhe mënyrat që ta bëjnë biznesin e vogël më elastik dhe të përshtatur për rënien e kërkesës konsumatore pikërisht nga çmimet më të lira të qendrave të mëdha tregtare. Asnjë kërkesë-program i tillë nga ana e opozitës. Por vetëm një arsyetim i thjeshtë praktik. Biznesi i vogël është i shumtë në numër: janë regjistruar 80-90 mijë të tillë në organet tatimore. Nëse të paktën 50 mijë syresh revoltohen, duke qenë se janë biznes familjar, kemi të paktën 200 mijë vetë të gatshëm për të dalë në rrugë. Për t’u bërë mish i protestave të opozitës për vitin që vjen. Ja përse edhe theksi i protestës tani ka kaluar në planin ekonomik, me ngritjen e një tymnaje për gjoja krizë të thellë ekonomike dhe rrezik real për falimentim të biznesit të vogël. Nuk po falimenton kush, por do të falimentonte vetë forca rrugëmbushëse e opozitës, nëse nuk merr vrull në protesta klasa e sipërmarrësve të vegjël. Deri tani ata nuk i janë përgjigjur opozitës. Nëpër rrugë kanë dalë punonjës të bashkive socialiste, por jo sipërmarrës të vegjël në masë. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Ata e dinë mirë se nga u vjen rreziku. Rreziku nuk ka të bëjë edhe aq me formalizimin e ekonomisë, sesa me modernizimin e saj. Ata duhet të përshtaten. Mallrat dhe shërbimet e tyre duhet të bëhen sa më cilësore, për të ruajtur klientelën që kanë, në mos për ta rritur atë. Sipërmarrësit e vegjël e dinë mirë ku u pikon shtëpia dhe karshillëkun e opozitës e konsiderojnë një spektakël politik të rastit. Nëse mund të fitojnë ndonjë gjë prej saj, mund të kenë interes. Por interesi ka kohë që u është larguar, kur kanë parë që opozita thjesht po i përdor si mish për top. Nëse opozita do të kishte përgatitur apo publikuar një program të qartë masash për daljen e tyre nga kjo gjendje e vështirë, atëherë punët do të qëndronin ndryshe. Por qarje hallesh e lot krokodili për një arsye thjesht politike të ditës, si zor të kandisin një pjesë të mirë të biznesit të vogël. Mund të dalë në rrugë kushëriri sipërmarrës i vogël për t’i bërë nder kushëririt politikan dhe aq. Opozita duhet të shohë skalione të tjera për të mbushur sheshet e rrugët, pse me biznesin e vogël nuk do t’i ndezë dot kurrë.