E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkonte tek e fejuara për Krishtlindje, ekzekutohet emigranti Hazizaj

Policia: Dyshohet krim për hakmarrje, është rrëmbyer, torturuar dhe më pas vrarë. Po verifikohet aktiviteti i tij jashtë dhe brenda vendit

Një i ri nga qyteti i Fierit është gjetur i vrarë dy ditë pasi ishte nisur për vizitë tek e fejuara e tij në fshatin Frakull të këtij qyteti. Trupi i pajetë, mbi të cilin ishin zbrazur pesë plumba pistolete, u gjet nga dy kalimtarë të rastit në hyrje të një tuneli, të cilët njoftuan menjëherë policinë. I ndjeri, sipas burimeve policore, dyshohej për shpërndarje parash të falsifikuara dhe ishte i afërm i një punonjësi të policisë së Fierit. Ai ishte duke shkuar tek e fejuara e tij me një tortë për të uruar festën e Krishtlindjeve, kur mendohet të jetë rrëmbyer, mbajtur peng për disa orë në ambientet e tunelit dhe më pas është ekzekutuar me pistoletë. Viktima mendohet të jetë vrarë dy net më parë dhe besohet se vendi ku u gjet është i njëjtë me atë të ekzekutimit. Sipas po të njëjtave burime, Leonard Hazizaj, 32 vjeç, nga Fieri, emigrant periodik në Greqi, u gjet i hedhur në një cep rruge pak të rrahur nga kalimtarët, pranë një tuneli në ish-repartin e Artilerisë në Levan, në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës. Ishin kalimtarë të rastësishëm, konkretisht banorë të zonës, të cilët panë trupin e pajetë që gjendej i flakur në anë të rrugës. Viktima ishte qëlluar me një pistoletë në kokë dhe trup, me pesë plumba, duke i shkaktuar dëmtime që vështirësuan identifikimin e tij. Forcat policore dhe agjentët e Antikrimit bënë të mundur identifikimin e viktimës dhe zbardhën detaje nga ngjarja. Nga të dhënat paraprake të policisë së Fierit, mësohet se Leonard Hazizaj ishte fejuar me një vajzë rreth 20 vjeçe në Frakull të rrethit Fier. Mbrëmjen e dy ditëve më parë, ai ishte nisur për tek e fejuara, me rastin e Krishtlindjeve, duke i dërguar një tortë për të uruar festën. Në kthim, me automjetin e tij, një veturë tip “Nissan” me targa greke, mendohet të jetë ndalur nga persona të armatosur, të cilët e kanë shtyrë deri në tunelin e ish-repartit të tankeve, ku edhe e kanë vrarë me pistoletë dhe janë larguar duke e lënë viktimën aty. Policia tha se viktima ka dyshime të jetë marrë me trafikim të lekëve dhe eurove të falsifikuara në Shqipëri dhe Greqi. Momentalisht, hetohet pista e pengmarrjes, por ende nuk ka informacione më të detajuara mbi këtë pistë, e cila i bashkëngjitet edhe pistës tjetër, asaj të hakmarrjes.

Zbulimi

Efektivët e policisë së Fierit janë sinjalizuar dje rreth orës 10:00 nga banorë të Levanit për gjetjen e një trupi të pajetë në një tunel të ish-repartit të tankeve në Levan të Fierit. Nga këqyrja që iu bë trupit të pajetë, mësohet se kufoma e seksit mashkull, 32 vjeç, ishte shtetasi Leonard Hazizaj, banor i qytetit të Fierit. Në trupin e 32-vjeçarit janë gjetur disa shenja plumbi, gjë që ka vërtetuar se vdekja ka ardhur nga plagët e shkaktuara nga një armë zjarri e tipit automatik. Burime policore bëjnë të ditur se shtetasi fillimisht është rrëmbyer, mbajtur peng në ambientet e ish-repartit të tankeve ku dhe më pas është ekzekutuar për vdekje me armë të tipit automatik. Ekzekutimi, sipas policisë, mund të ketë ndodhur 2 net më parë. Në cilësi të provave materiale janë marrë gëzhojat e plumbave që janë shkrehur nga arma me të cilën është kryer vrasja. Identifikimi u bë i mundur vetëm pas punës intensive disaorëshe të policisë. Hazizaj disa vite më parë ka jetuar në një qytet të Greqisë, por kohët e fundit ka qenë në atdhe.

Hetimet

Policia ende nuk ka dijeni për motivet e ngjarjes së rëndë në Levan të Fierit. Pas gjetjes së trupit, puna e policisë u përqendrua kryesisht në dy drejtime. Grupi i parë punoi për gjetjen e personave të deklaruar të humbur ditët e fundit, me qëllim identifikimin e viktimës, pasi ishte gati i pamundur për disa orë identifikimi. Dhe vetëm disa orë pas gjetjes së trupit, policia mundi të identifikojë viktimën. Ai ishte Leonard Hazizaj, nga qyteti i Fierit. Policia tani po punon për aktivitetet që ushtronte Leonardi, për të gjetur një motiv të kësaj ngjarjeje. Grupi tjetër i punës po heton për personat e mundshëm që mund të kenë kryer vrasjen. Policia ka marrë në pyetje banorë të zonës, për të mësuar më shumë rreth personave të dyshimtë që kanë shkelur Levanin kohët e fundit. Mësohet se disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, pasi policia dyshon se kanë dijeni për ngjarjen. Gjithashtu, në polici janë shoqëruar edhe dy personat, që gjetën trupin e pajetë dhe që lajmëruan policinë, me qëllim dhënien e disa detajeve rreth gjetjes së trupit të 32-vjeçarit. Grupit hetimor të ngritur nga Prokuroria e Fierit i është bashkangjitur edhe një grup oficerësh të specializuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, që e konsideroi aktin një krim hakmarrjeje. Të dhënat paraprake tregojnë se viktima është mbajtur për një periudhë kohore disaorëshe peng dhe është torturuar dhe vrarë. Afër vendit të ngjarjes është gjetur një autoveturë me targa greke, e cila mendohet të ketë qenë e viktimës. Forca të shumta policore kanë marrë pjesë në një aksion për kontroll në fshatin Frakull, për mundësinë e gjetjes së ndonjë prove materiale, për të ndihmuar grupin hetimor në zbardhjen e ngjarjes makabre. Policia tha se në pikën që ndodhet aktualisht, është e vështirë për të gjetur motive të këtij krimi. Dosja hetimore për vrasjen e të riut mësohet se do të merret nga Prokuroria e Krimeve të Rënda

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›