Gjobitën 60 mijë euro tre biznesmenë ndërtimi, arrestohen dy të rinj
Kërcënimet nisën 5 ditë më parë, të kërcënuarit iu drejtuan Policisë së Shtetit. Arrestimi, në momentin kur do dorëzoheshin paratë
Dy të rinj janë vënë në pranga në qytetin bregdetar të Vlorës për gjobvënie ndaj tre biznesmenëve të ndërtimit. Këta të fundit i janë drejtuar menjëherë Policisë së Shtetit, e cila ka ndërhyrë ditën e djeshme në momentin kur njëri nga biznesmenët do të dorëzonte paratë. Por, dy të rinjve, të cilët prej pesë ditësh ishin shndërruar në makthin e tre biznesmenëve, nuk u ka shkuar aspak ndërmend për “surprizën” që do t’u bënte policia, duke qenë e pranishme në momentin kur do dorëzoheshin paratë dhe për pasojë dhe kapjen në flagrancë të kërcënuesve. Operacioni i koduar “Target” u zhvillua mesditën e djeshme nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë, duke vënë në pranga në flagrancë shtetasit Nikollaq Taullaraj, 26 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë me tre vjet burg për “shitje të lëndëve narkotike” dhe Ardit Alushaj, 20 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Armen të rrethit të Vlorës. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se nga data 21.12.2009 e në vazhdim, nëpërmjet telefonatave dhe mesazheve kërcënuese, kanë kërkuar t’u marrin tre biznesmenëve në fushën e ndërtimit në qytetin e Vlorës shumën prej 20.000 eurosh secilit. Kanë qenë kallëzimet e vetë biznesmenëve, të cilët i janë drejtuar menjëherë strukturave policore sapo kanë marrë mesazhet kërcënuese që kanë vënë në lëvizje policinë dhe kanë mbërthyer në kohë dy të rinjtë. Sipas burimeve zyrtare policore, tre biznesmenët kishin bërë kallëzim pranë strukturave të Policisë së Shtetit dhe nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë kishte filluar procedimi penal për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal. Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme është bërë arrestimi në flagrancë nga forcat e policisë së Vlorës, në momentin që kanë shkuar për të marrë shumën e eurove të kërkuara tek njëri prej biznesmenëve. Në momentin e arrestimit këtyre personave u janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale dy pistoleta, një krehër fishekësh me 14 copë fishekë, si dhe 5 aparate celularë. Pas arrestimit të shtetasve Nikollaq Taullaraj dhe Ardit Alushaj, personat dhe provat materiale, janë vënë në dispozicion të Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për hetime të mëtejshme.