E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi kosovar, përballë tregut të ashpër të Shqipërisë

“Ditët e biznesit kosovar në Shqipëri” çelen me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit midis Bashkisë së Durrësit dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve

Tregu shqiptar, i ashpër për biznesin kosovar. Tërheqja e mjaft biznesmenëve kosovarë nga ushtrimi i aktivitetit të tyre, për shkak të mosgjetjes së tregut dhe hapësirës konkurruese, madje për shkak të konkurrencës së fortë, ka bërë që biznese të tjera të interesuara për t’u futur në këtë treg, të gjejnë rrugë e mënyra të tjera.

Në mesditën e së martës, “Ditët e biznesit kosovar në Shqipëri” janë çelur me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi midis Bashkisë së Durrësit dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve. Sezoni turistik ka regjistruar një numër më të pakët pushuesish kosovarë në bregdet, në krahasim me një vit më parë. Bëhet fjalë për pushuesit e qëndrueshëm, pasi ata të fundjavës kanë njohur një rritje të ndjeshme. “Fundjavat kanë regjistruar afro 400 mijë pushues në plazhin e Durrësit”, deklaroi në takim kryebashkiaku Dako. Gjatë një takimi në sallën e këshillit bashkiak me delegacionin e biznesit kosovar, kryebashkiaku Vangjush Dako është shprehur se qyteti i Durrësit ka mirëpritur dhe do të mirëpresë jo vetëm pushues të shumtë kosovarë që vijnë gjatë sezonit turistik, por edhe biznesin kosovar që në Durrës ushtron aktivitet në disa fusha. Rritja e mundësive për bashkëpunim në sferat e biznesit, arsimit, sportit dhe kulturës kanë qenë çështje të diskutuara. Nuk ka munguar as interesimi i biznesmenëve kosovarë për lidhjen përmes linjës së hekurudhës, e cila do të lidhë dy vendet duke ulur ndjeshëm kostot dhe distancat, si dhe problemet në lidhje me detyrimet tatimore mes dy vendeve që i përkasin një hapësire kombëtare. Kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka folur në lidhje me mundësitë e mëdha të bashkëpunimit për një shtrirje sa më të gjerë të biznesit kosovar në Shqipëri dhe konkretisht në qytetin e Durrësit. Më pas, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dhe kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, kanë firmosur memorandumin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, me qëllim që palët nënshkruese të bashkëpunojnë si partnerë në udhëzimin, mbështetjen dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe Shqipërisë, e sidomos në Durrës, përmes promovimit të turizmit në Kosovë, promovimit të biznesit kosovar në Durrës, të investimeve dhe konkurrueshmërisë në treg, shtytjes së zhvillimit ekonomik rajonal dhe rigjenerimit të punësimit përmes sferave agrare për kultura të hershme që kosovarët mund të investojnë në Durrës; promovimit të vlerave dhe potencialeve që kanë bizneset, shërbime, tregtia, turizmi, prodhim, si dhe edukimi profesional në fushat relevante ekonomike, kontributi për arritjen e qëndrueshmërisë së zhvillimit ekonomik lokal të Durrësit dhe realizimit të projekteve me interes të përbashkët për ekonominë. Kryebashkiaku Dako theksoi se biznesi duhet të çajë vetë në treg, por e rëndësishme është që atij të mos i krijohen vështirësi nga funksionimi i administratës, infrastruktura ligjore dhe burokracitë e mundshme. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, mbrëmjen e së martës u çel në shëtitoren bregdetare të Durrësit edhe panairi dyditor industrial me produkte vendore të biznesit kosovar.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›