E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX: Pavarësia do të mbikëqyret së paku edhe për dy vjet

Ndërkombëtarët i përgjigjen Kryeministrit Thaçi për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit

Përfaqësues të misioneve ndërkombëtare i kanë kujtuar Kryeministrit Hashim Thaçi, se do të jenë të pranishëm në Kosovë si mbikëqyrës të pavarësisë së paku dhe për dy vjet.
Komentet rreth mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës janë bërë vetëm një ditë pasi Kryeministri Thaçi kishte deklaruar se pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës po i vjen fundi. Zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffie, pohoi për “Kohën Ditore” se me gjithë arritjet që janë bërë, kanë mbetur edhe disa fusha ku duhet të punohet edhe më tej për të zbatuar planin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit. “I takon grupit drejtues ndërkombëtar që të përcaktojë ndryshimet e mëtejshme në aktivitetin dhe strukturën e ICO-s, natyrisht duke marrë plotësisht parasysh mendimin e qeverisë së Kosovës. Megjithatë, duhet theksuar se kanë mbetur edhe një varg fushash, në të cilat duhet arritur zbatimi i rregullt dhe i plotë i dispozitave të PGJS-së”, u shpreh zëdhënësi McGuffie. Ai shtoi se “grupi drejtues ndërkombëtar është pajtuar për të bërë vlerësimin e parë të ICO-s në shkurt të këtij viti”. Më tej zyrtari ndërkombëtar shtoi se pavarësia e Kosovës ka ende nevojë për mbikëqyrje ndërkombëtare. Këtij opinioni i përmbahen edhe përfaqësues të misionit të EULEX-it në Kosovë.

Shefja për informim e këtij misioni, Karin Limdal, duke kujtuar faktin se ky mision është ftuar në Kosovë nga përfaqësuesit e institucioneve të saj, ka deklaruar se “27 vende anëtare të BE-së kanë dhënë pëlqimin për operimin e misionit të EULEX-it në Kosovë dhe ky mandat vetëm sa është vazhduar edhe për dy vitet e ardhshme, deri në qershor 2012”, është shprehur Limdal. 
Ajo ka përmendur faktin se “qëllimi i misionit të EULEX-it dhe institucioneve lokale në vend është që institucionet e drejtësisë të marrin përvojë të mjaftueshme, në mënyrë që të garantohet respektimi i rendit dhe i ligjit, ku EULEX-i në mënyrë graduale të fillojë transferimin e kompetencave ekzekutive dhe gradualisht të largohet nga Kosova, por kjo varet edhe nga përmirësimet që do të bëhen në Policinë e Kosovës, në sistemin gjyqësor dhe në dogana”, ka deklaruar Limdal. Ndërsa zyrtarët e KFOR-it nuk kanë dashur të komentojnë rreth deklaratës së Kryeministrit Thaçi. Zëdhënësi i KFOR-it, Michael Kotting, vetëm ka kujtuar se mandati i misionit të KFOR-it është dhënë në bazë të Rezolutës 1244 dhe sipas këtij mandati qëllimi kryesor i KFOR-it është që të ofrojë mjedis të qetë e të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Greqia kërkon para nga SHBA-ja e BE-ja për të njohur Kosovën!?
Greqia po kërkon para nga SHBA-ja dhe BE-ja në shkëmbim të njohjes së Kosovës, njoftojnë mediat serbe. Portali serb “Press” nga Beogradi shkruan se qeveria greke po mundohet që të nxjerrë para nga SHBA-ja dhe BE-ja, të cilat janë duke kërkuar nga Athina që ta njohë Kosovën dhe se paratë për Greqinë do të ishin të mirëseardhura në kohën kur ajo gjendet në krizë financiare për shkak të borxheve të jashtme. “Press” citon burime anonime qeveritare serbe të kenë thënë se Greqia pritet që ta njohë Kosovën, pas opinionit pozitiv të GJND-së për pavarësinë. 
Athina pritet që ta njohë Kosovën në mesin e shtatorit pak para takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe se deri atëherë ajo do të përpiqet që të bindë SHBA-në dhe BE-në që të paguhet për njohjen e pavarësisë së Kosovës. 
Ndërkohë, tani për tani nuk ka ndonjë shenjë për ndryshime qëndrimesh kundër pavarësisë së Kosovës, nga vendet e mbetura të BE-së si: Spanja, Sllovakia, Qipro dhe Rumania, pohon “Zhurnal”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›