E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 572 kg marijuanë shqiptare në Pulia

Itali Sasia e drogës vinte nga Shqipëria dhe u kap kur po zbarkohej në Salento. Arrestohet 30-vjeçari Elton Kovaçi

Një shqiptar, i cili po trafikonte drejt brigjeve italiane plot 572 kg marijuanë, është vënë në pranga nga policia. Sipas mediave vendase, ishin forcat e Guardia di Finanza që kanë bërë të mundur kapjen e një sasie të tillë marijuane, që vinte nga Shqipëria. Sasia e marijuanës është kapur pikërisht ndërsa po zbarkohej në Salento, në rajonin e Pulias. Policia italiane arrestoi trafikantin shqiptar, i identifikuar si Elton Kovaçi, 30 vjeç nga Vlora dhe po heton ngjarjen për zbulimin e bashkëpunëtorëve të këtij rrjeti trafiku droge.

Ka qenë ora rreth 04.30, kur policia italiane ka nisur operacionin për kapjen e një gomoneje e nisur nga brigjet shqiptare me destinacion plazhin e Gesinës në Leçe, i preferuar ky për zbarkimin e trafikantëve. Sinjali duket se ka ardhur nga roja bregdetare shqiptare, e cila e ka parë gomonen në mezokanal dhe ka informuar më pas palën italiane, e cila me mjetet e Guardia di Finanza dhe grupin special të operacioneve antidrogë ka bllokuar lëndën narkotike teksa po shkarkohej në brigjet italiane. Ngarkesa prej rreth 572 kg marijuanë u identifikua lehtë në bordin e gomones nëpërmjet radarit të lëvizshëm të policisë ushtarake.

Policia ka pritur që gomonia të afrohej pranë bregut dhe në momentin kur mjeti lundrues ndaloi dhe personi që ndodhej në bord filloi shkarkimin e drogës, e cila ishte vendosur në qese e në 19 çanta, policia ndërhyri.

“Kushtet e motit nuk ishin të mira, tha në një konferencë për shtyp komandanti i Guardia di Finanza, Vito Pulieri, por në sajë të një bashkëpunimi efektiv me forcat tokësore, detare dhe aviacionin ne mundëm të bllokojmë aktivitetin kriminal dhe të kapim e grumbullojmë të gjithë sasinë e marijuanës”. Sipas tij, ngarkesa iu siguronte organizatave më kriminale në Itali dhe jashtë saj vazhdimësinë e aktivitetit.

Falë këtij operacioni është vënë në pranga një 30-vjeçar me origjinë shqiptare, i identifikuar si Elton Kovaçi. Ky i fundit tentoi t’u vidhej forcave policore duke u fshehur pas një grumbulli shkurresh, por forcat e armatosura e detyruan të dorëzohej pa bërë kurrfarë rezistence. I riu, që nuk kishte leje qëndrimi në Itali, njihej nga policia e vendit fqinj për disa precedentë të tjerë penalë.

“është e vështirë të përcaktoj vlerën e saktë të sasisë së lëndës narkotike të sekuestruar, vazhdoi Vito Pulieri, por duke marrë parasysh çmimet e shitjes me shumicë, mund të themi se ajo është rreth 300 mijë euro, ndërsa në rastin e shitjes me pakicë për përdorim personal mund të arrijë në gati një milion euro”.

Ky nuk është rasti i parë që në Itali sekuestrohet drogë e nisur nga brigjet shqiptare. Policia italiane po heton nëse droga e kapur dje ishte e destinuar për të njëjtin grup, një pjesë e të cilit u arrestua më 2 mars 2010. Herë pas here ka pasur edhe sekuestrime të tjera të sasisë së marijuanës, raste këto të regjistruara në muajt maj apo dhe qershor të këtij viti.

Rasti më evident është operacioni “Lindja e Diellit”, i zhvilluar në katër shtete njëkohësisht, ku u vunë në pranga 51 persona, të akuzuar se bënin pjesë në një organizatë kriminale. Konfiskimi i parë i drogës ishte bërë në mars të vitit 2005 në kanalin e Otrantos, ku Policia e Leçes kishte kapur 274 kilogramë marijuanë në një gomone. Që nga ajo kohë hetimet janë zhvilluar intensivisht. Personave të akuzuar u janë sekuestruar respektivisht 1 ton dhe 300 kilogramë marijuanë, 10 kilogramë heroinë, 45 pistoleta dhe 38 fishekë të sekuestruara më 20 janar 2006. Lënda narkotike nisej nga brigjet shqiptare dhe brigjet greke, ndërsa destinacioni ishte unik, Italia.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›