Bjellorusia liron nobelistin Bialiatski dhe Maria Kolesnikovën, SHBA heq sanksionet

Në një lëvizje surprizë që shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe “diktaturës së fundit të Evropës”, regjimi i Aleksandër Lukashenkos ka liruar të shtunën 123 të burgosur politikë.
Mes të liruarve spikasin dy figurat më emblematike të rezistencës bjelloruse: laureati i Çmimit Nobel për Paqen, Ales Bialiatski, dhe liderja e opozitës, Maria Kolesnikova.
Lirimi masiv vjen si rezultat i negociatave intensive dy-ditore mes Minskut dhe Uashingtonit, ku është arritur një marrëveshje e qartë: liria e të burgosurve në këmbim të heqjes së sanksioneve shkatërruese amerikane ndaj industrisë së potasës (plehrave kimike), eksporti jetik i Bjellorusisë.
Agjencia shtetërore “Belta” konfirmoi se Lukashenko fali 123 persona. Në këmbim, administrata amerikane njoftoi heqjen e bllokadës ndaj sektorit të potasës, një industri që më parë mbulonte 20% të tregut global, por që ishte gjunjëzuar nga sanksionet.
I dërguari special i SHBA-së, John Coale, i cili u takua personalisht me Lukashenkon, i cilësoi bisedimet si “shumë produktive”.
“Po heqim sanksionet, po lirojmë të burgosurit… Marrëdhënia po kalon nga hapa të vegjël në hapa më të sigurt,” deklaroi Coale.
Zyrtarë amerikanë e kanë cilësuar këtë si një “fitore diplomatike” të Presidentit Donald Trump, duke theksuar se angazhimi i tij ka çuar në lirimin e mbi 200 të burgosurve politikë në total.
Për herë të parë pas 1,613 ditësh, Ales Bialiatski, themeluesi i grupit të të drejtave të njeriut “Viasna”, foli si njeri i lirë. Ai u shpreh se lirimi i erdhi si surprizë, pasi në mëngjes ndodhej ende në qelinë e mbipopulluar.
“Më duket sikur kam kërcyer nga uji i akullt në një dhomë normale e të ngrohtë,” tha nobelisti për AP, duke premtuar se do të vijojë të jetë zëri i atyre që mbeten pas hekurave.
Një moment emocional ishte edhe lirimi i Maria Kolesnikovës, flautistes që u bë simbol i protestave të vitit 2020. E njohur për gjestin e zemrës me duar dhe aktin e guximshëm të grisjes së pasaportës në kufi për të shmangur dëbimin, ajo u pa të shtunën duke përshëndetur nga autobusi që e largoi nga burgu.
Shumica e të liruarve u dërguan në Ukrainë dhe Lituani. Megjithatë, liderja e opozitës në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, bëri thirrje për kujdes. Ajo vlerësoi lirimin e bashkëpunëtorëve të saj, por paralajmëroi Perëndimin të mos tregohet naiv.
“Lukashenko nuk i ka ndryshuar politikat e tij… Lirimi do të thotë vetëm se ai e ndjen dhimbjen e sanksioneve dhe kërkon t’i lehtësojë ato,” tha ajo nga Vilnius.
Marrëveshja vjen në një kohë kur ekonomia bjelloruse ka nevojë për valutë të huaj, të cilën ia siguronte eksporti i potasës, ndërsa Lukashenko po përpiqet të manovrojë mes presionit të Rusisë dhe nevojës për tregje perëndimore.
/rtsh.al/