E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Black market” sekuestron aksesorë telefonash

18/07/2009  Fillohen hetime për 8 persona, ndërsa bllokohen edhe 70 kompjuterë kazinoje

Mallrat e sekuestruara kapnin një vlerë prej 4 milionë lekësh

Agjentët e krimit ekonomiko-financiar kanë goditur dje rrjetin e tregtarëve të mallrave kontrabandë në afërsi të vendit të quajtur tregu “çam” ose siç njihet ndryshe tek “Dollari”. Gjatë operacionit të koduar me emrin “Black market” punonjësit e policisë së Tiranës sekuestruan një sasi të konsiderueshme aksesorësh celularësh të ndryshëm, arrestuan shtetasin Shpëtim Pashaj dhe filluan procedim penal në gjendje të lirë për 7 persona të tjerë, të cilët tregtojnë aparate telefoni në mënyrë të kundërligjshme. Në bazë të këtij operacioni uniformat blu të seksionit kundër krimit ekonomik sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 5000 copë kapakë celulari, 1000 copë këllëfë celulari, 3050 karikues telefonash të ndryshëm, 2500 bateri telefonash celularë si dhe 1500 kufje celulari. Nga përllogaritja ekonomike që ju bë mallit të sekuestruar, mësohet se shifra financiare e tij, kap vlerën prej rreth 4 milionë lekësh. Pritet që në ditët në vazhdim policia e kryeqytetit të vazhdojë përsëri operacionin e sipërcituar, derisa të eliminohet plotësisht veprimtaria kriminale që ushtrohet gjerësisht në këtë zonë. Aktualisht për të 8 personat e proceduar penalisht u ngrit akuza e “tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë” dhe materialet hetimore do i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme. Ndërkohë që po dje specialistët e krimit ekonomik kanë kryer një operacion tjetër, ku kanë kryer sekuestrimin e rreth 75 makinerive që shërbejnë për lojëra fati. Lidhur me këtë operacion policia ka filluar disa procedime penale në ngarkim të shtetasve që posedonin makineritë. Mësohet se ndaj tyre është ngritur akuza e “hapjes së ambienteve për ushtrimin e aktivitetit kriminal” si dhe “mospagim të taksave dhe detyrimeve fiskale”. Ky operacion zhvillohet në vijim të disa operacioneve të tjera që policia e Tiranës ka kryer në kryeqytet, por edhe jashtë tij.

E. Qyno

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›