E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Asnjë skuter në zonën e pushuesve të plazhit

18/07/2009  Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit ka vendosur të ndëshkojë të gjithë motoskafët, të cilët bëjnë veprime sportive në cekëtinë pranë pushuesve. Vendimi është marrë një ditë më parë pas ngjarjes së rëndë teksa një skuter uji dëmtoi rëndë në kokë pushuesin kosovar Sabit Kuci dhe u largua pa u identifikuar. Drejtori Naim Manuka ka deklaruar dje se nuk do të lejojë më asnjë motor uji të afrohet në zonën e pushuesve në plazhet e Durrësit. Ai u ka dërguar një shkresë urgjente të gjitha njësive vendore që kanë nën juridiksionin e tyre zona turistike ku zhvillohet plazh duke u kërkuar të përcaktojnë sa më parë vijën e verdhë dhe shiritin e kuq për të gjitha mjetet sportive lundruese. “Nuk do të hezitojmë të ndëshkojmë këdo që do të tentojë të prishë qetësinë në plazh”,-është shprehur në formë të prerë Manuka. Vetëm dy ditë më parë kosovari Sabit Kuci është bërë viktimë e një incidenti të ndodhur në det teksa një mjet uji i ka kaluar mbi trup duke e goditur me pjesën e poshtme në kokë. I dëmtuari është dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit dhe vazhdon të jetë në gjendje shumë kritike për jetën. Ky rast ka tërhequr vëmendjen e drejtorit të Policisë së Kufirit, i cili u ka dërguar shkresë njësive vendore si bashkisë Durrës, Golem e Sukth; komunave Ishëm, Katund i Ri e Rrushkull për të marrë masat e duhura lidhur me garantimin e sigurisë në det. Rasti i dy ditëve më parë ka risjellë edhe një herë shqetësimin në plazhet e bregdetit të Durrësit. “Është problem dhe shqetësim vazhdueshëm për ne guida me motor uji në vendin ku lahen pushues, të cilët ndihen të pasigurt nga këto mjete”,-ka thënë Manuka. Policia kufitare, por edhe ajo e Rendit, janë një hap më larg në rastet e aksidenteve të tilla, pasi në det nuk ka patrulla me motoskafë apo mjete të tjera lundruese për të mbajtur nën mbikëqyrje ndonjë nga skuterët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›