E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ u rikthehet kërkesave ankimore për Fierin

18/07/2009  Komisioni pranoi të shqyrtojë ankesën e PDI-së për pavlefshmëri në 4 QV

Rezultati i këtij qarku është marrë në shqyrtim edhe nga Kolegjin Zgjedhor

Një ditë pas komunikimit për përfundimin e shqyrtimit të të gjitha kërkesave ankimore që u paraqitën nga subjektet e ndryshme politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i rikthehet shqyrtimit të çështjeve ankimore. Në mbledhjen e djeshme me shumicë votash ky institucion vendosi të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të partisë “Për Drejtësi dhe Integrim”, e cila kërkoi pavlefshmëri të zgjedhjeve në katër qendra votimi në Qarkun e Fierit. Në këtë mënyrë, KQZ-ja do të diskutojë në mbledhjen e së hënës nëse do të pranojë apo rrëzojë kërkesën e PDI-së për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qendrat e votimit nr. 31-85, 31-88, 31-96 të KZAZ-së nr. 20 dhe të qendrën e votimit nr. 30-06 të KZAZ-së nr. 18. Përfaqësuesit e opozitës në këtë komision si dhe anëtarët në minorancë, pasi e cilësuan kërkesën jashtë afateve ligjore, kërkuan rrëzimin e saj. “Nëse do t’i referohemi nenit 123 të Kodit Zgjedhor, kjo kërkesë është jashtë afatit ligjor. Ankimi për këto qendra duhet të ishte bërë brenda 3 ditë pas vendimmarrjes së KQZ-së për tabelën përmbledhëse të rezultatit për këtë qark, vendim i marrë qysh më datën 7 korrik”, - tha anëtari i KQZ-së Pandeli Varfi. Edhe nënkryetarja Dëshira Subashi e cilësoi alogjike vendimin për t’iu rikthyer pavlefshmërisë, ndërkohë që kjo çështje është për gjykim në Kolegjin Zgjedhor. Por përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, kundërshtoi pretendimet e palëve, duke deklaruar se kërkesa për pavlefshmëri i referohet një tjetër vendimmarrjeje të KQZ-së dhe asaj të datës 7 korrik. “Kjo është një kërkesë për pavlefshmëri dhe sipas nenit 160 të Kodit Zgjedhor kërkesat për pavlefshmëri bëhen pas shpalljes së tabelës përfundimtare nga KQZ-ja. Pra, afati duhet të llogaritet nga vendimi i KQZ-së për tabelën përfundimtare të Qarkut të Fierit të marrë më 13 korrik. Kërkoj që kresa të pranohet”, - tha Kosovrasti. Me katër vota “pro” dhe 3 “kundër” KQZ-ja do të marrë në shqyrtim këtë çështje, relatimi i së cilës i takoi kryetarit të KQZ-së Arben Ristanit. Ky i fundit, ashtu si të gjitha mbledhjet e mëparshme, akuzoi përfaqësuesit e opozitës për prishje të mbledhjeve të KQZ-së. “Do ta merrni fjalën me leje dhe jo kur të dëshironi ju. Nuk më mbetet një tjetër veçse t’u denoncoj publikisht për prishje të mbledhjeve të KQZ-së, së bashku me personat e papërgjegjshëm që përfaqësojnë KQZ-në”, - iu drejtua ai përfaqësuesit të PS-së Genci Gjonçaj.

Afati i ankimimit në Gjykatën e Apelit

Ankimet, sipas këtij kodi, paraqiten në Gjykatën e Apelit, Tiranë, e cila ia kalon ato Kolegjit Zgjedhor. Ankimi për të gjitha vendimet që KQZ-ja merr në periudhën që fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme ose të përgjithshme deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje bëhet brenda 5 ditëve nga shpallja e tyre. Për vendimet që KQZ-ja merr jashtë kësaj periudhe, afati i ankimit në Kolegjin Zgjedhor është 30 ditë. Ndërkohë neni 157 i ligjit për zgjedhjet përcakton se “Kolegji Zgjedhor gjykon dhe vendos për kërkesëpaditë brenda 10 ditëve nga depozitimi i kërkesëpadisë. Referuar vendimmarrjes së KQZ-së dhe afateve ligjore për ankimet ndaj këtyre vendimeve, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në fund të muajit korrik. Ndërkohë Komisioni jo vetëm ka nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve në të 12 qarqet, por përllogariti dhe bëri shpërndarjen e mandateve si brenda koalicioneve, ashtu dhe numrin e mandateve të përftuara nga secili koalicion në 6 qarqe. Kështu, KQZ-ja ka bërë shpërndarjen e mandateve në qarqet Kukës, Korçë, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë. Deri tani janë mandatuar numerikisht dhe nominalisht 53 deputetë ose rreth 40 % e përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë.

Kërkesat e para në Kolegjin Zgjedhor

Rezultati në Qarkun e Fierit, Beratit dhe Durrësit janë tri ankimimet e para që janë depozituar në Kolegjin Zgjedhor nga subjektet zgjedhore. Ankimimi nga Partia Konservatore e rezultatit të Durrësit i ka prerë rrugën KQZ-së për të shpallur rezultatin përfundimtar në këtë qark, vendim i parashikuar për t’u miratuar dje. Ndërkohë në Kolegjin Zgjedhor ka mbërritur edhe ankesa e PS-së për rezultatin e Fierit. Në kërkesën e saj kjo force politike konteston vendimin e KQZ-së për vlerësimin e votave në qendrën e votimit nr. 30-52 të komunës Ruzhdie si dhe vendimin e KQZ-së për tabelën përmbledhëse të rezultatit për këtë qark. Gjatë vlerësimit të votave në këtë kuti anëtarët në mazhorancë në këtë komision i vlerësuan të vlefshme, edhe pse ato kishin vetëm një vulë në pjesën e pasme të saj. Në këtë kuti u gjenden 9 vota për PS-në dhe 362 për PD-në. Qarku i Beratit është një tjetër qark që është ankimuar nga kjo forcë politike. Ndërkohë në ditët në vijim pranë këtij institucioni gjykues do të depozitohen kërkesat ankimore për Qarkun e Tiranës dhe të Shkodrës. Kërkesa do të godasë vendimin e KZAZ-ve dhe KQZ-së për disa qendra votimi si dhe kërkesa për rinumërim dhe rivlerësim të votave në dhjetëra qendra votimi. Rezultati i Shkodrës për dy qendra do të ankimohet edhe nga Partia Demokratike, e cila gjithashtu do të kërkojë zhvillim të procesit zgjedhor në 3 qendra votimi të Qarkut të Fierit, ku nuk u zhvilluan fare zgjedhjet më 28 qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›