E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blank: Shqiptarët, shumë të ashpër në ndërhyrje

PARIS-Në Francë, ndeshja me Shqipërinë është arkivuar shpejt dhe vëmendja e të gjithëve është përqendruar te përballja e së martës ndaj Bosnje-Hercegovinës. Lojtarët dhe trajneri Loran Blank kanë pranuar thjeshtësinë me të cilën fituan të premten në mbrëmje, ndërsa nuk kanë munguar akuzat për lojën e rëndë ndaj përfaqësueses shqiptare. Kjo, pasi dëmtimeve të Riberi, Benzema, Sanja apo Abidal, u janë shtuar edhe ato të Patris Evra dhe Johan Kabaje. Ndërsa anësori i Mançesterit ka patur më shumë një tërheqje, për mesfushorin e Njukasëllit ka qenë ndërhyrja e Odise Roshit që i ka shkaktuar dëmtimin në kavilje. “Evra them se do të jetë i gatshëm për takimin me Bosnjen, - sqaroi trajneri Loran Blank. – Ndërsa Kabaje ka marrë një goditje të rëndë në kavilje. Miqtë tanë shqiptarë na trajtuan shumë mirë”, shtoi ai me ironi. Blank gjithsesi bëri të ditur se pret që Abidal e Gameiro të rikthehen në ekip ditën e hënë, por kërkoi nga njerëzit të jenë të duruar.

(d.b/a/latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›