Eurovizionin le ta shohim si festë muzike e jo garë!
“U trondita vërtet që Aurela nuk hyri në finale. Atë që ajo e meritonte në të vërtet! Ajo ishte një nga këngëtaret më dominante të natës së parë gjysmëfinale. Megjithatë, duhet të gëzohemi që ajo ishte pjesë e historisë së Eurovizion-it”, kështu shprehet Patrick Szelech nga Radio Meander (www.radiomeander.nl) në Gjermani. Ndërsa Christian Köther, drejtor e moderator i famshëm i televizionit ZDF (Gjermani), pasi vlerësoi si favorite të fortë të këtij kompeticioni Aurela Gaçen, pas gjysmëfinales u shpreh se “jam i pafjalë. Kënga e Aurelës ka qenë një nga më të kërkuarat në programet tona kushtuar Eurovizionit”! Po kaq e befasishme, mos futja në finale e këngëtares Aurela Gaçe me këngën “Feel the passion”, ka qenë për këngëtaren dhe gjithë grupin që e shoqëronte atë në Dusseldorf! Ka qenë befasuese, pasi gjatë gjithë ditëve të qëndrimit të saj në Dusseldorf, mediat gjermane, dhe jo vetëm, komentonin performancën e saj, komentonin zërin, look-un, këngën e fuqishme, madje epiteti i saj i vënë nga gazetarët ishte “flokëkuqja me zë të fuqishëm”! Për të mos vazhduar më tej me krahasime të shumta që i janë bërë në gazetat dhe në dy konferencat për shtyp, që këngëtarja Gaçe dha pas provave në Eurovizion! Por cilat janë arsyet që Aurela dhe kënga e saj nuk u bë pjesë e finales së edicionit të 56-të të Eurovizionit…?
Reagimi i parë i këngëtares ishte se votimi ishte politik! Mosfutja e Turqisë e përforcon edhe më tej këtë fakt. Ndërkaq, në finale u futën 4 ish-republika sllave. Në konferencën e shtypit, pas gjysmë finales së datës 10 maj, gazetarët nuk lanë pa shpotitur disa këngëtarë që nuk priteshin të hynin në finale. Një prej gazetareve pyeti këngëtaren lituaneze se “për të gjithë ka qenë një surprizë futja juaj në Eurovizion. Për ju sa e tillë ishte”?...
Pavarësisht pritshmërive, reagimeve për shumë këngë që nuk u bënë pjesë e finales së Eurovizionit, pakënaqësive për disa që u bënë pjesë e tij, reagimi post festival mes gazetarëve të huaj ishte se nata e parë e Eurovizionit ishte fitorja e ish-republikave sllave! Në këtë frymë, në këtë realitet europian, vetvetiu të lind pyetja se çfarë vendi zë Shqipëria? Çfarë roli luan ajo në këtë kompeticion?! Përgjigjja është e vetëkuptueshme… Përpjekjet e kompozitorëve shqiptarë në këto 8 edicione të pjesëmarrjes së Shqipërisë në Eurovizion kanë qenë të pashtershme, por asnjëherë të duhurat për të gjetur formulën e duhur që të triumfojnë. Pasi Shqipëria jonë është shumë e vogël!!!
Sapo mbërrita në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, së bashku me një pjesë të madhe të grupit shqiptar që shoqëronte këngëtaren Gaçe në Eurovizion, takova një nga kompozitorët më të mirë shqiptar. Duke ruajtur autorësinë e tij, për shkak se biseda ishte konfidenciale, po perifrazoj vetëm diçka prej tij: “Shqipëria nuk duhet të shkojë më me këngëtarë të mëdhenj në Eurovizion”. Arsyeja?! Konkurrentët e gjithë vendeve në Eurovizion, rrallë janë emra të mëdhenj të muzikës në vendet e tyre. Jo gjithmonë (për të mos thënë se në shumicën e rasteve) është zgjedhur kënga më e mirë e edicionit si fituese. Aq më tepër në rastin e Shqipërisë, që potenca, fuqia e votës krahasimisht me vendet e tjera është shumë e vogël. Rreziku për këdo që merr pjesë është i madh. Mësimi që duhet marrë në këtë rast është që të mos e shohin më me pretendime Eurovizionin. Në mënyrë që edhe të mos pësojmë zhgënjime, si në rastin e Aurelës! Sigurisht le të bëjnë këngë edhe më të mira, le të shkojnë këngëtarë të mëdhenj e të vegjël, por le ta shohin si një festë muzike dhe të heqim dorë nga pretendimet në atë garë që nuk është më shumë sesa POLITIKE!