E Diel, 1 Nëntor 2026

Blanko pret vetem parate te gjitha rruget te cojne te Duro

Çështja Argjentinasi, i ofenduar nga trajtimi. Duro: Shumë shpejt do ulem në një stol

Telenovela e ndarjes mes trajnerit argjentinas, Luis Manuel Blanko dhe klubit Dinamo duket se do të njohë edhe të tjera puntata. Kjo, për një fakt të thjeshtë: edhe pse gjithçka është thuajse e qartë dhe ringjallja e kësaj marrëdhënieje është thuajse e pamundur, për momentin gjithçka është kthyer në një çështje parash. Përveç mosmarrëveshjes në tratativat e zhvilluara pak ditë më parë në lidhje me një ndarje konsensuale dhe pa dëmshpërblim, kriza financiare që po kalojnë blutë duket se është bërë një tjetër pengesë për shlyerjen përfundimtare të rrogave të prapambetura të teknikut argjentinas. Luis Blanko dje është parë sërish në Tiranë. Burime pranë tij kanë bërë të ditur se tekniku ndihet shumë i ofenduar, pasi askush nga drejtuesit e lartë të klubit nuk po e takon për t’i qartësuar situatën, dhe kjo mënyrë e zgjedhur nga dinamovitët nuk e kënaq trajnerin argjentinas, i cili zuri me shumë bujë vendin e Shkëlqim Muçës në verën e këtij viti, por nuk përmbushi pritshmëritë. Megjithatë, largimi i tij duket i pashmangshëm, prandaj me të marrë paratë, Blanko do të duhet të nisë udhëtimin pa kthim drejt Argjentinës. Ndërsa, Dinamo duket se ia ka vënë syrin zëvendësit të tij. Kandidatë janë Ilir Daja, Shpëtim Duro dhe Sulejman Starova, por më i favorizuar duket ish-trajneri i Besës. Vetë Duro, në një prononcim në edicionin e lajmeve në “SuperSport 1” të së shtunës, ka deklaruar se, “shumë shpejt do të marrë drejtimin e një skuadre”. Për momentin stolin bosh e ka vetëm Elbasani, por problemet financiare, pozicioni i ulët në klasifikim dhe një grup futbollistësh që nuk premtojnë shumë, nuk kënaqin ambiciet e ish-trajnerit të Partizanit. Alternativë është për momentin vetëm stoli i Dinamos, i cili po numëron orët e fundit të Blankos. Po ashtu, mësohet se ai gëzon edhe simpatinë e drejtuesve të lartë të Dinamos, të cilët më parë duhet të mbyllin “epokën” Blanko.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›