GUR SHAHU N POLITIK
Pranvera politike '91 të kujton një tabllo flu. Baballarët e Kombit shumica: personazhe nga e kaluara. Ish kryetarë të koperativave bujqësore u bënë deputetë. Donkishotë që kërkojnë të mbajnë gjallë enverizmin! Ka ngjarje makabre: 2 prilli në Shkodër. U vranë Arben Broci, Besnik Ceka dhe Bujar Beshanaku. Deputetët e PD-së bojkotuan parlamentin! Lindi precedenti bojkot, aq për “zemër” sot nga deputetët socialistë. Eksode me përmasa biblike. Mijëra shqiptarë pushtuan anijet në portet e Durrësit dhe Vlorës. U nisën drejt Italisë. Përfunduan në stadiumin e futbollit në Bari. U trajtuan si gladiatorë. Ushqimin xhandarmëria italiane u a hidhte nga qielli. Me helikopter. Pamjet filmike bënë xhiron e botës?! Mijëra të tjerë kapërcyen kufijtë dhe vërshuan qyteteve dhe fshatrave të Greqisë!
Në minierën e qymyrit të gurit në Valias (Tiranë) mbi tre mijë minatorë u futën në grevë urie. Synimi? Rrëzimi i qeverisë Nano 1. Partitë politike mbinë si kërpudhat pas shiut! Lindi kompania e parë, edhe fantazmë edhe piramidale: “Iliria Hollding”. Mësimi I parë i komunistëve nga ekonomia e tregut: Kambizmi në bursë?! Shuma: 70 milionë dollarë?! “Ustai” Dhimitër Gazhga-beniamini i Partisw sw Punws-, pas zbulimit të skandalit në beharin e vitit 1991, mbeti në Greqi si emigrant! Hallall!
Kryeministri Adil ÇarçaniJanar 1981. Mehmet Shehu vrau veten. Varianti jo zyrtar: E vranë. Sebepi? Lufta për pushtet për fronë e Trashëgimtarit të Enverit. Mehmeti ishte kryeministri më jetëgjatë në Shqipëri. Mbi 30 vjet. Vendin e tij e zuri Adil Çarçani. Pas vdekjes së Enver Hoxhës më 11 prill 1985, u bë “kukull” në duart e Ramiz Alisë. Me krijimin e Partisë Demokratike, qeveria Çarçani u “kompozua”. Kjo ngjau më 22 dhjetor 1990.
Në fillim kishte dy zëvendës kryeministra: Pali Miskën dhe Hekuran Isain. Pas dy muajsh Ramiz Alia e kuptoi gabimin. Ndryshoi taktikë. Hoqi dy zëvendës kryeministra nga garda e vjetër. Futi dy të rinj, modernë: Fatos Nanon dhe Shkëlqim Canin. Po kabineti? Ministër i Ndërtimit- Ismail Ahmeti. Ministër i Arsimit- Skënder Gjinushi. Ministër i Financave- Qemal Disha. Ministër i Shëndetsisë Sabit Brokaj. Ministër i Drejtësisë Enver Halili etj. ( Sipas gazetës “ZP” .)
21 shkurt 1991. Adil Çarçani u “rrëzua”. Sebepi? 753 studentët u futën në grevë urie për të hequr emrin e Enverit nga Universiteti i Tiranës. Pas tre ditëve, populli i Tiranës, shëmbi bustin e diktatorit në “sheshin Skënderbej”. Brenda një dite u shëmbën bustet edhe në Durrës dhe Korçë. Bustin e katërt e rrëzoi Ramiz Alia: kryeministrin Adil Çarçani.
Qeveria Nano numër 123 shkurt 1991. Lindi qeveria Nano 1. E pati jetën të shkurtër. Dha dorëheqjen më 7 maj 1991. “Shaka” e Ramiz Alisë. Për kurreshtarët, po përmendim disa ministra. Shkëlqim Cani-zëvendëskryeministër. Muhamet Kapllani - ministër i Jashtëm. Gramoz Ruçi- ministër i punëve të Brendshme. Kastriot Islami- ministër i Arsimit. Qemal Disha- ministër i Financave. Sabit Brokaj- ministër i Shëndetsisë. Ylli Bufi- ministëri Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. ( Sipas librit të Aleksandër Meksit “Dhjetor ‘90” .)
Ramiz Alia ëndërronte të mbante në pushtet me çdo kusht Partinë e Punës. Propaganda e kohës i bënte hosana kryeministrit Nano - si njeriu modern që do shpëtonte socializmën. Paradoksi? Kjo qeveri “prodhoi” korrupsionin e parë shtetëror, që u bë shkak, që pas dy viteve, lideri i opozitës Fatos Nano, të përfundonte në burg. Me pak fjalë kemi këtë tabllo.
Qeveria italiane dha për Shqipërinë 10 miliardë lireta. Paratë duhet të përdoreshin për të blerë artikuj ushqimorë. Kompanitë duhet të ishin italiane. Zgjedhjen e tyre duhet ta bënte qeveria Nano. Kryeministri propozoi një kompani nga Bari. Kundërshtoi këtë zgjedhje ministri i Financave, Qemal Disha. Në protokollet e mbledhjes, kundërshtimi i zotit Disha, është bërë jo për arsye politike. Si financier, ai kërkonte të zbatoheshin procedurat. Zoti Disha u mbështet vetëm nga ministri i tregtisë së Jashtme Shane Korbeci. Një vit më vonë, protokollet e qeverisë Nano, “ranë në dorë” të Blerim Çelës, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ishte ky procesverbal, nga u ngrit akuza në prokurori për Fatos Nanon.
Inxhinieri Kroqi mundi Ramiz Alinë31 marsi '91. Zgjedhjet e para me shumë parti. Nuk ishte e thënë që PD të hynte në histori! Fitoi Partia e Punës. Një fitore si e Pirros. Fitoi në fshatra. Humbi në qytete. Hapu dhe të futem! U mund sekretari gjeneral Ramiz Alia, nga inxhinieri gjeolog Franko Kroqi! Dhe ku? Në Tiranë. Rreth e rrotull shtëpisë ku u themelua Partia e Punës! Për pak vota, desh u mund edhe kryeministri Fatos Nano. Fitoi me balatozh në lagjen e Bllokut, pasi Partia e Punës u angazhua me qen e me maç, thotë populli!
Parlamenti i asaj kohe ishte i “fryrë”. Me 240 deputetë. Nga këta, PD-ja fitoi 75 deputetë. Po gjeografia? Në Tiranë, nga 28 kandidatë, PD-ja fitoi 18 deputetë. Në Shkodër nga 18 deputetë, 16 ishin demokratë. Në Durrë PD-ja fitoi 13 deputetë nga 19 që ishin në lista. Partia Demokratike fitoi gjysmën e deputetëve nga Vlora dhe Kruja; një të tretën në Elbasan. Dy deputetë në Lushnjë. Një në Berat. Asnjë deputet demokrat nuk fitoi në Fier, Dibër, Gjirokastër, Mat, Kukës, Sarandë, Pogradec, Librazhd etj.
Qeveria Nano numër 28 maj 1991. Rilindi qeveria Nano numwr 2. Qeveri “pudër” e Ramiz Alisë. Kryeministri kishte si zëvendës Shkëlqim Canin. Ministër i Financave- Anastas Angjeli. Ministër i Arsimit- Maqo Lakrori. Kryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare- Gramoz Ruçi. Ministër i Ekonomisë- Leontjev Çuçi. Ministër i Drejtësisë- Fatmir Zaloshnja. Ministër i Mbrojtjes- Ndriçim Karakaçi. Ministër i Transporteve-Kostandin Hoxha…
Qeveria Nano numër 2 nuk jetoi më shumë se një muaj e një ditë. Normale. Ishte qeveri demode. Kundra rrymës. Komunizma nuk kishte më takat të qeveriste vendin. Rënia e Murit të Berlinit dhe pushkatimi i Çausheskut në Rumani, e kishin tronditur Presidentin Ramiz Alia… Ndërkohë kishin ngjarë kompromise liderësh, që sot kërkojnë t'i mbulojnë, si puna e strucit! Takime të fshehta. Në prill të vitit 1991, në Firencë u takuan Berisha me Fatos Nanon. “Mblesi” ishte Mentor Çoku, kryetar i Komunitetit Mysliman në Romë. Në hije qëndronte ministri i Jashtëm I Italisë: Xhani De Mikelis… Pati edhe stërkëmbësha. Bërryla. Ministra që dalin nga hiçi dhe përfundojnë në hiç!...Ik e ik dhe shumë ngjarje i mbuloi pluhuri i kohës. Sikur të shkundim pak pluhur?
Gjinushi, në zyrën e Berishës15 maj 1991. Gjinushi në zyrën e Berishës?! Paradoks! Fantazi! Të dyja bashkë për politikanët amatorë. Vite më parë: Gjinushi para Blendit Fevziut: “Ke përfituar në politikë nga Nano dhe Berisha?”
-Llafe ka shumë, -përgjigjet Gjinushi.- Por ka dhe një fakt historik: Kush është bashkuar me PSD-në ka fituar zgjedhjet. Ngjau kjo me Berishën, më 22 mars '92. Ndodhi edhe me Nanon, më 29 qershor '97. Përfundimi: Jemi parti pa borxhe!
Edhe unë jam tifoz i emisioneve të Blendit. Ndaj duhet të besoja. Por, si unë edhe Gjinushi, jemi edukuar me parrullën e Stalinit: "Beso e kontrollo!" Shto këtu edhe zakonin tim të keq për të futur hundët nëpër protokollet dhe llogaritë dalin kokëposhtë. Le ta nisim me skenografinë.
Vendi i ngjarjes: Zyra e Berishës.
Koha: 15 maj 1991.
Partitë: PD+PSD.
Personazhet: Sali Berisha me Eduard Selamin nga e djathta. Në të mëngjër: Gjinushi, Lisien Bashkurti, Haxhi Aliko, Teodor Laço. (PSD-ja në atë kohë ende nuk ishte çarë në dy pjesë).
Gjinushi:- PSD, zoti Berisha, ka qëllim të bashkëpunojë me ju, në misionin që opozita të jetë më e fortë. Duke shprehur këtë gatishmëri, do të donim një ndihmë në aspektin organizativ. Donim edhe ndonjë ndihmë materiale.
Berisha:- Dakord. Opozita ekziston jo fort e unifikuar.
Gjinushi:- I thamë Fatos Nanos. Nuk bëjmë koalicion me partinë tënde. Mund të krijohen koalicione në raste të veçanta, si qeveri të shpëtimit kombëtar. Kjo kushtëzohet nga zgjedhjet e parakohshme. Në qoftë se e pranon PD-ja, ne jemi për zgjedhje, në janar '92… Mënyra më e sigurtë e shkatërrimit të Partisë së Punës, është koalicioni.
Unë po e mbyll protokollin. Ju hapni muhabete, në qoftë se keni oreks, lexues të nderuar! Veçse mos e bëni qimen tra. Gjëra që ngjizen në politikën moderne!
Në horizont - qeveria e stabilitetit4 qershor 1991. Ora 2.30 e mëngjesit. Qeveria Nano 2 u dorëzua pa kushte. Për 24 orë në parlament oshëtinte thirrja: deputetët komunistë vdesin dhe nuk e dorëzojnë Nanon! Për çudi, në aksham, deputetët dorëzuan qeverinë dhe nuk vdiqën!
E njejta ditë. Ora 19:30. Fatos Nano kërkoi dorëheqje. Ishte gjetur formula. Do krijohej qeveria e Stabilitetit. Kryeministri do të ishte socialist. Debat mes deputetëve socialistë “hëngri” emri i kryeministrit. Të vjetrit kërkonin të ishte përsëri Fatos Nano. Të moderuarit kundërshtuan. Pas këshillave të “urta” të Ramiz Alisë, dhe telefonatave nga përtej detit, të vjetrit u dorëzuan… Kastriot Islami, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, i ra këmborës. Parlamenti u mbyll. Deputetët e kuq ishin të hutuar. Ne, deputetët blu, ishim në humor për inerci. Na gënjente mendja! Ishim të bindur se e rrëzuam ne Nanon nga froni!
Në korridor takova Ylli Bufin. Ishim miq të vjetër. Ishim njohur rreth viteve ’80. Unë gazetar i “ZP”. Ai kryeinxhinier në ndërmarrjen ushqimore Fier. Më vonë u bë ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. Ishte zgjedhur edhe deputet nga Partia e Punës. Më ftoi për kafe. Morëm rrugën drejt hotel "Dajtit". U ngjitëm në katin e dytë. Një tavolinë dhe dy kafe përpara.
-Sot në drekë më thirri Ramiz Alia. Partia të do kryeministër, -më tha.
-Kur të donte Partia dhe Presidenti Alia për kryeministër, pse i latë deputetët të bënin gamgam gjithë ditën!?
Ylli buzëqeshi, duke ngritur supet. Kuptova. Ai ishte personazh. Regjizori ishte i padukshëm. Me skenarë të tillë do të ambientoheshim në vitet që do të vinin. “”Qeveria do të jetë e përbashkët, -tha Ylli Bufi.- Janë 5 parti. Zgjidh një kolltuk edhe ti. Do më pëlqente të të kisha në kabinet si zëvendës kryeministër. Nuk besoj të kundërshtojë Berisha. Ekonomistët PD-ja i ka si “ujët e pakët”!
Duke qenë i martuar dhe me një fëmijë, në vend që të pranoja ofertën, i bëra një pyetje: “Ku do të shkojë Nano?” ‘‘Ministër i Jashtëm”, - tha Ylli Bufi. Gaboi. Disa ditë më vonë u bë Kongresi i 10-të i Partisë së Punës. Fatos Nano u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste! Formalisht, për disa ditë, mbajti protofolin e ministrit të Lidhjeve Ekonomike me Jashtë. U zwvwndwsua nga Yli Xhabiri.
Në qeveri e “kuqja” me “blunë”?!11 qershor 1991. Qeveria Bufi ishte betuar para Presidentit Ramiz Alisë. I dyti nga rëndësia vinte Gramoz Pashko. Financat i kishte Genc Ruli. Kulturën, Preç Zogaj. Ajka e demokratwve. PS-ja kishte për zëvendës kryeministër Zydi Pepën. Ministër të Arsimit-Maqo Lakrorin. Ministër të Ushqimit- Vilson Ahmetin. Muhamet Kapllanin- ministër i Jashtëm. Partia Republikane zgjodhi Kontrollin e Lartë të Shtetit. Kryetar: Alfred Karamuço. PSD-ja kishte protofolin e ministrit të Drejtësisë- Shefqet Muçi. ( Marrë nga gazeta “RD”.)
U bë edhe adeti: pagëzimi i qeverisë së stabilitetit në parlament! Kohë moderne. E kuqja dhe bluja në qeveri! Evropa u gëzua. Më shumë nga të gjithë Italia. Kryeministri italian Andreoti, në vend të telegramit, parapëlqeu një ftesë për homologun shqiptar…
Korrik 1991. Dielli piqte si saç. Një aeroplan "Çarter" qëndroi në "Rinas". Në krah të kryeministrit, dy ministra: Kapllani (i Jashtmi) dhe Zogaj. Unë si deputet. Ndërsa fluturonim drejt aeroportit ushtarak, m'u kujtua filmi i Felinit: "Roma qytet i hapur". Më vonë bëra një korrigjim: Roma qytet krahëhapur për kryeministrat shqiptarë! Ylli Bufi, Vilson Ahmetaj, Meksi, Bashkim Fino, Nano, Majko, Meta, Berisha më shumë kanë vizituar Romën, sesa krahinat nga u bënë deputet a vendlindjet!
Aeroplani qëndroi. Makinat u nisën drejt Romës. Zumë vende në hotel "Ambasador"…Në orën 13:00 takim kortezie me Andreotin. Një orë më vonë, drekë po me Andreotin. Në orën 18:00, takim me Kosigën, në atë kohë President i Italisë. Një hollësi nuk mund t'i shpëtonte syrit tim si gazetar: para dhe pas çdo bisede me qeveritarët italianë, delegacioni shqiptar takohej me don Vincenco Palja, ndërmjetës i Papës me kryemnistrin. I thjeshtë. I qeshur. Me humor. Ministri i Jashtëm, Muhamet Kapllani pyeti, jo pa ironi: ky është prift apo diplomat?
Një ditë më vonë erdhi haberi: Papa do të takonte vetëm kryeministrin! Delegacioni nisi ankesat. Kuptohet, tek prifti. Ai buzëqeshte. Dhe ndodhi çudia: Papa prishi protokollin. Në fillim Papa bisedoi me kryeministrin Bufi. Ne qëndruam në korridor midis kardinalëve. Mes nesh edhe Kardili, ambasadori i Italisë në Tiranë. Kardili më prezantoi mua dhe Preç Zogaj tek ministri i Jashtëm i Vatikanit: “Këta janë heronj të demokracisë?!” Dhe buzëqeshi në mënyrë enigmatike…( Pasi iku nga Shqipëria, Kardili e vazhdoi kariren politike në Arabinë Suedite. Më vonë u hap haberi. Kardili ndërroi fe. Ishte katolik. U bë mysliman.)… Pas një ore u hap dera. I gjithë delegacioni rrethoi Papën!
(Vijon ...)