E Diel, 1 Nëntor 2026

Blater: Serbëve, lejoni kosovarët të luajnë futboll

Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, gjatë vizitës që po zhvillon në Serbi, ka kërkuar para drejtuesve të shtetit dhe sportit serb, që kosovarëve t’iu lejohet të luajnë futboll.

Numri një i futbollit botëror është takuar të mërkurën me presidentin e Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS), Tomislav Karadzic dhe me kryeministrin serb, Ivica Dacic.

“Gjatë një bisede që pata me kryeministrin Dacic, i kërkova që të gjendet një zgjidhje koherente, të kënaqshme për futbollistët e Kosovës, në mënyrë që t’u mundësohet të rinjve të këtij vendi të luajnë futboll”, ka thënë Blater pas takimit.

“Është një situatë delikate, e cila nuk mund të zgjidhet brenda natës, por hap pas hapi. Mirëpo, ka disa shenja që japin shpresë për të ardhmen”, ka shtuar kreu i futbollit botëror.

Ndërkohë, kreu i FSS-së ka thënë se çështja e futbollit kosovar mund të ketë një zgjidhje kur të zgjidhet problemi politik, raporton Express.

“Ndërsa Kombet e Bashkuara nuk e njohin Kosovën, është e qartë se përfaqësuesja e tyre nuk mund të zhvillojë ndeshje zyrtare, e as të marrë pjesë në kualifikime të evenimenteve të rëndësishme”, ka thënë Karadzic.

Blatter është autorizuar që të gjejë një zgjidhje për futbollin kosovar, i cili vazhdon të mbetet i izoluar padrejtësisht./indeksonline/ 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›