E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bler na çoi në luftë, për shkak të lajkave ndaj Bushit"

Britanikët janë keqdrejtuar dhe futur me pa të drejtë në luftën e Irakut për shkak të lajkave që Bler i bënte gjithmonë Bushit. Kjo është një deklaratë e bërë nga një ish-shef prokurorësh, i cili ka qenë në një detyrë shumë të lartë gjatë pjesës më të madhe të qeverisjes së Blerit. Sir Ken Macdonald e quajti politikën e jashtme të Blerit një fatkeqësi me përmasa të jashtëzakonshme dhe se asnjë intervistë, apo mbrojtje publike e Blerit nuk do ta lehtësonte pozitën e tij. "Etja e SHBA-së për pushtet ia mori mendjen dhe Bler nuk mundi t‘i bënte ballë shkallës së joshjes që i jepte një situatë e tillë." Është shprehur ish-shefi i prokurorëve në një të përditshme britanike. "Vazhdimisht, që nga ditët e luftës jemi mësuar të dëgjojmë të njëjtën gjë nga Bler: duke vënë dorën në zemër unë kam bërë vetëm atë që mendova se ishte e drejtë për t‘u bërë". Për Macdonald kjo është një mbrojtje narciziste dhe nuk mund të justifikojë vdekjet. Sipas Bler, nxitja kryesore që ai vendosi të ndërmerrte një luftë që ishte në kundërshtim me vullnetin e britanikëve ishte rreziku që përbënte për të gjithë rajonin regjimi i Sadam Huseinit. Bler pritet që të japë dëshmi personalisht para panelit të posaçëm që është ngritur për të shqyrtuar legjitimitetin e luftës në Irak. Ndërkohë dje, sekretari britanik i Mbrojtjes, Bob Ainsworth, deklaroi se ai nuk do ta kishte përkrahur sulmin ndaj Irakut, nëse do ta kishte ditur se Sadam Huseini nuk dispononte armë të dëmtimit në masë. Pikërisht faktet e rreme mbi ekzistencën e tyre çuan SHBA dhe Britaninë në luftën e Irakut në vitin 2003. Ishte pikërisht Bler ai që ngulmoi se materiali i ofruar nga shërbimet sekrete amerikane ishte i rregullt. Ndërkaq, paneli qeveritar ka fakte sipas të cilave Bler disa ditë para sulmit u informua në lidhje me mundësinë që në Irak nuk kishte më armë të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›