Topalli: Kurorëzuam së bashku një punë titanike
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbajti edhe fjalën e hapjes së Kuvendit të 9 të PD-së. Topalli e nisi fjalën e saj me falënderim për të gjithë anëtarësinë e PD-së dhe simpatizantët e kësaj force, të cilët ndonëse vite në opozitë, e mbajtën gjallë partinë me forcën e tyre. "Vetëm 4 vite më parë, ata na thoshin se do ishim opozita e përjetshme. Në fakt shqiptarët mendonin e vendosën ndryshe", deklaroi Topalli. Sipas saj, shqiptarët e besuan PD-në në 2005-n dhe prej atëherë zhvillimi i vendit ka hyrë në një rrugë të re dhe të pandalshme. "Përgjatë 4 viteve të një vrulli të paparë, të një pune titanike kolosale, punuam me zemër e ia dolëm, të gjithë bashkë", theksoi nënkryetarja e PD-së. Sipas saj, përgjatë këtyre viteve u firmos Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, u ratifikua, Shqipëria u bë pjesë e NATO-s dhe tashmë janë hapur procedurat për marrjen e statusit të vendit kandidat për në NATO. Fjalën e morën dje në Kuvend edhe nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, të cilët u përqendruan më shumë në anën teknike të Kuvendit, si drejtuesit e komisioneve për statutin dhe mandatet.