E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni, të gjitha reagimet e një goditjeje

Një pjesë e italianëve të pyetur në lidhje me sulmin fizik që iu bë të dielën Kryeministrit të tyre, Berluskoni, ishin të mendimit se ndoshta ky sulm do të çonte në shpërthimin e një vale simpatie për "viktimën".
Të dielën, Berluskoni u shtrua në spital me dhëmbë të thyer dhe një frakturë në hundë, pasi një person, me probleme mendore, e goditi me një statujë në Milano, në afërsi të katedrales. Sipas një buletini mjekësor të publikuar dje, Kryeministri nuk ishte në gjendje të rëndë, por po përjetonte dhimbje dhe kishte humbur shumë gjak. Disa analistë politikë parashikojnë që ky veprim mund t‘ia rrisë aksionet Berluskonit në bursën e pushtetit, pas një rënie të ndjeshme nga të gjitha skandalet seksuale dhe problemet me drejtësinë. Dhe sipas tyre, kjo do të bënte që edhe mëtonjësit e pozicionit të tij të mendoheshin para se të ndërmerrnin ndonjë sulm të shpejtë. Pamjet e Berluskonit të përgjakur janë shfaqur në të gjitha stacionet televizive të botës dhe për sa i përket komenteve, sigurisht që ato kanë shkuar përtej faktit të plagosjes. "Kohë urrejtjeje" ishte titulli i gazetës "La Nazione" e Firences. Fjala "urrejtje" është përdorur në shumë tituj dhe nga shumë analistë në shtypin italian. Edhe shtypi i majtë që e ka pasur në shënjestër të tij gjatë gjithë këtij viti Berluskonin pranoi faktin se në vend ishte krijuar një klimë e tensionuar që mund të shndërrohej në një rrezik. "Ky akt tregon qartas përplasjen e klasës politike në Itali", ka bërë të ditur Ezio Mauro, kryeredaktori i "La Reppublica"-s, një gazetë e cila ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe shumë kritike ndaj Berluskonit. Ndërsa "L‘Unita", gazeta më e madhe e opozitës e quajti sulmin ndaj Berluskonit "çmenduri". Ndërsa presidentja e PD-së, Rozi Bindi, tha se Berluskoni që kishte akuzuar shumë shpesh kundërshtarët e tij si mbështetës të komunizmit që ai do t‘i shkatërronte, ishte personalisht përgjegjës për klimën shumë të tensionuar dhe tha se Berluskoni "nuk duhet të luante viktimën". Të paktën sipas personave pranë Kryeministrit, njeriu që e goditi Berluskonin për pak sa nuk e vrau atë. Rasti i fundit i vrasjes së një Kryeministri italian në detyrë ka qenë ai i Aldo Moros në vitin 1978, kur Brigadat e Kuqe i morën jetën në një nga periudhat më të vështira të historisë italiane të pasluftës. Disa janë të mendimit se incidenti i Berluskonit mund të shtojë tensionin në vend para se situata të qetësohet. Sipas gazetave që mbështesin Berluskonin sulmi është pjellë e atyre që e kanë quajtur atë një diktator, një fashist dhe tiran dhe që përpiqen që ta përmbysin me çdo kusht. Ka pasur edhe nga ata si Di Pietro, një ish-gjykatës dhe aktualisht lider i një partie të vogël opozitare, i cili tha se Berluskoni ishte "sajuesi" i sulmit për shkak të sjelljeve vazhdimisht konfliktuale dhe fyerjeve që ka bërë. Për të tjerë, ky nuk është veçse fundi i denjë i një viti të vështirë plot me skandale e telashe për Kryeministrin italian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›