Blerja e votave? – Rama: Alibi e humbësve, s’ka perëndi që i blen 800 mijë njerëz që me vullnetin e tyre votojnë PS

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se 800 mijë zgjedhës që votojnë Partinë Socialiste nuk blihen, por janë vullnet popullor që ka e të qartë që vetëm Partia Socialiste mund ta çojë përpara vendin.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama duke iu përgjigjur ndjekësve, tha se akuzat për blerje vote janë një alibi idiote e humbësve.
“Shiko, e para e punës njëherë, shokëve të mi, Vlash po deshe mos ua ngarko edhe këtë njollë të madhe që janë të PD se është shumë njollë e madhe në aspektin që i bie të jesh qorr, e bie të jesh shurdh, e i bie të mos duash të shikosh edhe pse Zoti t’i ka dhënë sytë, edhe pse Zoti t’i ka dhënë veshët, e para”, tha Rama.
“E dyta, unë nuk e di ku janë këto mediat që shkojnë nga shkon pushteti se mua nuk më rezulton kështu, s’kam parë deri më sot ndonjë media që shkon nga shkon pushteti, të paktën e kam fjalën në raport me periudhën e qeverisjes sime, përkundrazi. Ndërsa përsa i përket blerjes së votave, bajat janë të gjithë ata që e lidhin votën e popullit për PS dhe për mua me blerje e me shitje, se 800 mijë njerëz nuk ka perëndi që i blen; 800 mijë njerëz janë vullnet popullor dhe këtë nuk e luan topi kështu që kjo është thjesht alibia idiote e humbësave kronikë që nuk fitojnë edhe sepse nuk arrijnë të kuptojnë se pse humbasin dhe duke ia mohuar të vërtetën vetes, mbetem po humbësa, ngelësa dhe fatkeq deri në fund për shkak se nuk duan të pranojnë të vërtetën që humbin se ne jemi më të fortë, jemi më të zotë, jemi më të mirë dhe jemi të duhurit për këtë vend, kështu që përsa i përket rrenave, unë nuk di se ku e ke fjalën dhe për çfarë e ke fjalën”, theksoi Rama.
“Unë di që nuk kam as arsye por as edhe edukatën e njeriut që të rren për të përfituar qoftë edhe një votë të vetme. Nuk e kam këtë kështu që mos e ke gabuar, shikoje se do të ndihmoj ty, se për mua një më shumë , një më pak që mendon se jam kështu nuk përbën ndonjë diferencë të madhe”, thekson kryeministri Rama.
/a.f/r.e/