Rama: E vetmja garanci për mbijetesën e SPAK është PS dhe unë në krye

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se e vetmja garanci për mbijetesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është Partia Socialiste dhe ai vetë.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama, duke iu përgjigjur komentuesve mbi punën e SPAK, theksoi se PS dhe ai vetë janë e vetmja garanci për funksionimin e këtij institucioni.
“Nuk është i imi, është i Kushtetutës dhe reformës në drejtësi. Tani jeni shumë më të qartë, sepse edhe Amerika është tërhequr nga kjo punë. Nëse SPAK do të ishte krijuar nga Amerika, ajo do ta kishte marrë me vete. SPAK ka vetëm një garanci për mbijetesën dhe përparimin e tij, përballë një lufte të gjithanshme nga këneta mediatike-politike: Partinë Socialiste dhe mua në krye. Reformën në drejtësi e kemi bërë ne me PS dhe e garantojmë po ne”, theksoi Rama.
/a.f/