Pavarësia e drejtësisë, Rama: Nuk tolerojmë joprofesionalizmin dhe shkeljen e standardeve demokratike

TIRANË, 18 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk do ta tolerojmë një sistem drejtësie të paanshëm, thjesht dhe vetëm të pavarur, por joprofesional dhe në shkelje të standardeve demokratike dhe lirive dhe të drejtave të njeriut”.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama u shpreh se sfida jonë në vitin 2025 është të ndërtojmë një sistem drejtësie të drejtë dhe të barabartë.
“Pjesa e parë e sfidës që tanimë është e fituar pavarësisht kostove dhe gjërave që nuk shkojnë edhe me SPAK-un, se SPAK nuk ka rënë nga qielli, është një strukturë e re, një institucion i ri me shumë probleme. Sidoqoftë, ka krijuar vetëbesimin e pavarësisë. Askush nuk mund të thotë sot se SPAK është i kapur nga unë, i kontrolluar nga unë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se SPAK është një institucion i pavarur, por sfida është që pavarësia të jetë garanci edhe për profesionalizëm, edhe për standarde demokratike.
“Historia na i ka mësuar të tëra. Ne nuk duam dhe nuk do ta tolerojmë një sistem drejtësie të paanshëm, thjesht dhe vetëm të pavarur, por joprofesional dhe në shkelje të standardeve demokratike, që do të thotë të të gjitha atyre kritereve dhe lirive e të drejtave që bëjnë diferencën”, vijoi Rama.
Kryeministri theksoi se tani kemi hyrë në një fazë tjetër, ku si SPAK, dhe drejtësia ka fituar vetëbesimi tek pavarësia e vet.
“Ne jemi në një fazë tjetër se duhet të kemi pozicion kritik. Ne nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë të shkelen liritë dhe të drejtat, të intimidohen njerëzit që merren në pyetje, të kapërcehen fazat e hetimit dhe gjykimit dhe paraburgimi të bëhet një normë për të kapur dhe kyçur brenda pa gjyq këdoqoftë, kur kushtet e domosdoshme që duhen plotësuar për t’u paraburgosur dikush janë shumë të qarta”, shtoi Rama.
/r.e/a.f/