Blinken: Koha që Suedia të anëtarësohet në NATO

SHBA pret që pranimi i Suedisë në NATO të përfundojë në javët në vijim. Sekretari i Shtetit Antony Blinken theksoi se tashmë ka ardhur koha që ky shtet të anëtarësohet në NATO.
“Ne nuk kemi asnjë dyshim se mund të jetë, dhe duhet të jetë dhe ne presim që të jetë,” tha Blinken në një konferencë shtypi në Luleå, Suedi, me kryeministrin suedez Ulf Kristersson.
Lufta në Ukrainë bëri që Finlanda dhe Suedia e jo-angazhuar të braktisin neutralitetin e tyre dhe të kërkonin mbrojtje brenda NATO-s.
Finlanda u bë zyrtarisht anëtarja e 31-të e NATO-s më 4 prill.
Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka bërë një diskutim me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për potencialin e miratimit të shitjes së avionëve të rinj luftarakë amerikanë nëse Turqia heq dorë nga kundërshtimet e saj për anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Megjithatë, Blinken tha se dy çështjet shihen si të ndara nga administrata.“Nga këndvështrimi ynë, ne besojmë se të dy duhet të ecin sa më shpejt që të jetë e mundur“, tha ai, sipas CNN.
/rtsh.al/