Blinken: SHBA-ja po shikon mundësinë e rritjes së ndihmës për Izraelin

Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken (Antony Blinken) tha të dielën se SHBA-ja po shqyrton kërkesat shtesë për ndihmë që izraelitët kanë bërë dhe se mund të ketë zhvillime në këtë front, shkruan AP.
Ai tha se “udhëzimi i presidentit ishte të sigurohej që ne po i ofrojmë Izraelit gjithçka që i nevojitet në këtë moment për t’u marrë me sulmet nga Hamasi”.
Blinken, i cili dha intervista për emisione të shumta lajmesh televizive amerikane të dielën, foli gjithashtu se sulmi i Hamasit mund të ishte motivuar pjesërisht për të prishur një marrëveshje diplomatike në zhvillim midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.
“Nuk është çudi që ata të jenë kundër bisedimeve, kundër normalizimit të marrëdhënieve të Izraelit me fqinjët. Hamasi, Hezbollahu dhe Irani është plotësisht e mundur që të motivohen për të kryer një sulm të tillë për të prishur këto përpjekje për të çuar përpara normalizimin, “tha Blinken.
Ai tha se Uashingtoni kishte parë raporte se disa amerikanët janë zhdukur ose janë vrarë dhe shtoi se “ne po punojmë jashtë orarit për ta verifikuar këtë”.
/rtsh.al/