E Martë, 3 Nëntor 2026

Kolona e tankeve drejt Gazës, 313 viktima nga Palestina, mbi 500 izraelitë të vrarë

Vazhdojnë luftimet në jug të Izraelit midis militantëve të Hamasit dhe forcave izraelite.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza raporton se sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 400 palestinezë dhe më shumë se 2 mijë janë plagosur.

Raportohet se nga sulmet me raketa të Hamasit kanë mbetur viktima mbi 600 izraelitë dhe mbi 100 të tjerë janë marrë peng. 

Ushtria izraelite ka filluar evakuimin e banorëve izraelitë që jetojnë në vendbanime pranë Gazës dhe ka rikthyer kontrollin mbi shumicën e zonave që ishin nën sulm.

Nga ana e vet, Hamasi thotë se ka kapur dhjetëra izraelitë, përfshirë ushtarë, ndërkohë që videot e verifikuara nga CNN shfaqin kapjen e disa prej tyre. Ushtria izraelite e ka konfirmuar pengmarrjen, ndërsa Sekretari i Shtetit në SHBA, Entoni Blinken, tha të dielën se ka raportime edhe për shtetas amerikanë të vrarë e të rrëmbyer.

Zëdhënësi i Hamasit, Ghazi Hamad, ka deklaruar se Irani i ka ofruar mbështetjen e tij Hamasit për të ndërmarrë sulmin e befasishëm ndaj Izraelit.

Ndërkohë mësohet gjithashtu se Forcat izraelite po përgatiten për një ndërhyrje tokësor në Rripin e Gazës, duke mobilizuar dhjetëra tanke drejt enklavës palestineze.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka deklaruar gjendjen luftarake dhe ka bërë thirrje për largimin e civilëve nga Gaza, duke paralajmëruar se ushtria izraelite do të shkatërrojë “të gjitha vendbanimet e fshehta të Hamasit”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›