E Martë, 3 Nëntor 2026

Blinken: SHBA mbështet Shqipërinë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka reaguar për vizitën e tij në Shqipëri dhe mesazhet e adresuara në takimet me drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar.

Blinken shkruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, Sekretari Amerikan i Shtetit vë në dukje se SHBA mbështet Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përmes sistemit të drejtësisë.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me kryeministrin @EdiRama diskutova bashkëpunimin tonë për të avancuar stabilitetin rajonal, mbrojtjen kibernetike dhe reformën gjyqësore”, shkruan ai në rrjetin social ‘X’.

Ndërkaq, më herët Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken përmbylli vizitën e tij njëditore në Shqipëri. Ai u largua duke u përshëndetur me homologun e tij, Igli Hasani, i njëjti që e priti sot paradite në aeroportin e Rinasit.

Blinken zhvilloi sot një sërë takimesh të nivelit të lartë duke nisur që me presidentin Bajram Begaj, me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe për të vijuar më pas me kryeministrin Edi Rama.

Me këtë të fundit zhvilloi edhe një konferencë të përbashkët për mediat ku u adresuan mesazhe të rëndësishme për rolin e Shqipërisë në NATO dhe mbështetjen e SHBA-ve të Shqipërisë dhe Kosovës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, në konferencën për mediat Blinken nënvizoi rolin e fortë të Shqipërisë dhe personalisht të kryeministrit Rama në mbështetje të Ukrainës.

Pasi ka falënderuar për mikpritjen e sotme në Tiranë, Blinken theksoi faktin se Shqipëria është një ndër 10 vendet, për frymë popullsie, që mbështet më shumë Ukrainën dhe rezistencën e saj kundër agresionit rus.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Blinken firmosi një sërë marrëveshjesh me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Marrëveshjet kanë të bëjnë me një memorandum mirëkuptimi ndërmjet qeverisë së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright” si dhe memorandumin e mirëkuptimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj.

Ndalesën e radhës Sekretari Amerikan i Shtetit do ta ketë në Munih të Gjermanisë ku do të mbahet edhe Konferenca e Sigurisë përgjatë datës 16 deri në 18 shkurt, konferencë në të cilat do të diskutohen çështjet e sigurisë dhe konfliktet e sotme, duke nisur nga pushtimi rus i Ukrainës, lufta mes Izraelit dhe Hamasit, kriza humanitare në Gaza por edhe tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›