Blinken takohet me Kryediplomatin e Kinës! Yi: SHBA të heqë sanksionet e njëanshme kundër Kinës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në ditën e dytë të vizitës së tij në Pekin, është takuar me kryediplomatin e Kinës Wang Yi. Kryediplomati i Kinës pas takimit të gjatë me Blinken, deklaroi se perceptimi i gabuar i SHBA-së ndaj Kinës, është shkaku kryesor i marrëdhënieve mes dy vendeve.
Wang Yi theksoi se gjatë takimit me Blinken u shpreh i prerë se nuk ka vend për kompromis sa i përket Tajvanit, ndërsa kërkoi nga SHBA që të heqë sanksionet e njëanshme kundër Kinës.
“SHBA të heqë sanksionet e njëanshme kundër Kinës, të “ndalojë shtypjen e saj” të zhvillimeve të shkencës dhe teknologjisë kineze dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës. Duhet bërë një zgjedhje mes dialogut apo konfrontimit, bashkëpunimit apo konfliktit”, tha Yi.
Ndërsa Blinken nga ana e tij, në takimin me Kryediplomatin Yi vuri theksin te rëndësia e menaxhimit me përgjegjësi të konkurrencës mes dy vendeve përmes kanaleve të hapura të komunikimit.
“SHBA do të vazhdojë të përdorë diplomacinë për të ngritur fushat e shqetësimit dhe për të mbrojtur interesat dhe vlerat e amerikanëve”, është shprehur Blinken.
Një ditë më parë sekretari Amerikan i Shtetit ka zhvilluar një takim prej 7 orësh me Ministrin e Jashtëm kinez Qin Gang.
Nuk dihet ende nëse Blinken do të ulet në takim me Presidentin Xi Jinping, teksa kujtojmë se zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris ishte zyrtarja e fundit e rangut të lartë që foli personalisht me Xi, në nëntor në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Tajlandë.
Vizita e Blinken ishte planifikuar fillimisht për në fillim të shkurtit dhe ishte rënë dakord si vazhdim i një takimi miqësor ballë për ballë midis Presidentit të SHBA Joe Biden dhe Xi të Kinës në margjinat e G20 në Bali në nëntor.
Takimi, i pari personalisht midis dy liderëve si presidentë, u pa si një hap thelbësor në rivendosjen e linjave të caktuara të komunikimit, të cilat Pekini i ndërpreu pas një vizite vitin e kaluar nga kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan.
Vizita e planifikuar më parë nga Blinken u shty pasi një tullumbace e dyshuar kineze e vëzhgimit u zbulua duke përshkuar SHBA-në kontinentale, duke rritur më tej tensionet midis dy fuqive, edhe pse Kina lëshoi një deklaratë të rrallë keqardhjeje dhe pretendoi se incidenti ishte një aksident.
/rtsh.al/