Bllaca: Gjykata nuk vendosi siç kërkoi Thaçi, Buja dhe Syla

(E plotësuar) Pas shpalljes së vendimit në rastin “Bllaca II” ka reaguar edhe Nazim Bllaca, sipas të cilit trupi gjykues nuk vendosi siç kërkuan kryeministri Hashim Thaçi, Ramë Buja dhe Azem Syla tri vjet më parë.
Siç kam thënë para një viti publikisht, kur trupi gjykues kishte shpallur aktgjykimin në rastin “Bllaca I” ndaj Faruk Gashit prapë do ta përsëris se :
1) nuk ka trup gjykues që do ti rrëzoj provat dhe deklarata e mi, sepse këto prova dhe deklarata nuk janë të huazuara, por rrjedhin nga një person që është pjesë e këtyre veprave kriminale të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), që e themeloi Partia e Kryeministrit Hashim Thaçi dhe I shërbeu kësaj partie për më shumë se një dekadë;
2) se veprat kriminale të kryera në atë kohë nuk kanë shkuar në llogari time, apo të familjes sime, por kanë shkuar në llogari të një organizate kriminale;
3) se kjo organizatë kriminale ka identifikuar për ti eliminuar figurat e larta të LDK-së, rivale e PDK-së, ka rekrutuar kryesit e veprave, si dhe ka mbështet financiarisht operacionet kriminale, gjë që këtë e ka mbështetur edhe Raporti I EULEX-it i dorëzuar në Gjykatë më 07 qershor 2012.
Edhe pse i kishin thënë gënjeshtra dhe i montuar rastit “Bllaca”, Kryeministri Thaçi dhe ish shefi grupit parlamentar të PDK-së Ramë Buja, trupi gjykues në rastin “Bllaca II” nuk vendosi ashtu siç kërkuan ata, por vendosi të kundërt. Trupi gjykues i besoi provave të Bllacës në çdo pikë.
Që të sjellësh prova në këtë proces nuk ishte e lehtë, prandaj në këtë rast duhet te kihet parasysh presioni që iu bë familjes time dhe mua personalisht nga krerët shtetëror që nga dalja ime publike .
Jam krenar që pas një pune tri vjeçare që kam bërë dolën edhe rezultatet e prekshme për opinionin e Kosovës:
- aktgjykimi ndaj Faruk Gashit ,
- aktgjykimi ndaj grupit të Shpresim Ukës
- si dhe raporti i EULEX-it për vrasjet politike të paslufte, që është edhe shtylla e krejt këtyre veprave kriminale të paslufte.
U bën tri vite dhe tash Bllaca do të troket në dyert e profilit të lartë, siç po i quan Tomë Gashi, avokat./Indeksonline/
-----------
Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur dënimet në rastin “Bllaca 2”. Sipas vendimit, Sadik Abazi është dënuar me 14 vjet burgim, Driton Hajdari me 7, Bekim Syla me 12, Shaban Syla me 8 dhe Shpresim Uka me 15 vjet.
Dënimet janë shpallur, pavarësisht se në sallë mungonin tre të akuzuarit, Shpresim Uka, Driton Hajdari e Bekim Syla, për të cilët është lëshuar një urdhër-arrest./Indeksonline/
------------
I paraparë për tu shpallur në ora 14:00, aktgjykimi i “Bllaca II” është shtyrë së paku për një orë pasi që tre nga pesë të akuzuarit nuk janë paraqitur në seancën përfundimtare ku do të shpallej vendimi.
Për Shpresim Ukën, Driton Hajdarin e Bekim Sylen trupi gjykues ka lëshuar menjëherë urdhër-arrest, ndërkaq ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të bëjë sjelljen e tyre në gjykatë brenda një ore.
Shaban Syla dha Sadik Abazi ndërkaq janë paraqitur në Gjykatën Supreme dhe janë në pritje të sjelljes edhe të “shokëve” të tyre që nuk u paraqitën vullnterarisht në Gjykatë, raporton Zëri.
Tre te arratisurit dhe dy të tjerët kanë qenë të mbrojtur në liri.
Pesë të dyshuarit akuzohen për një vrasje dhe dy tentim vrasje, ndërkaq aktakuza ndaj tyre ishte ngritur pas denoncimeve publike që i kishte bërë i vetëshpalluri agjent i SHIK-ut, Nazim Bllaca në nëntor 2009.
Kjo akuzë është e dyta pas denoncimit që i kishte bërë Bllaca dhe pretendon se në këtë cilësi ka kryer vrasje, plagosje, rrahje e shantazhe.
Nazim Bllaca është shpallur dëshmitar bashkëpunues i EULEX-it./Indeksonline/