Integrimi evropian, i rëndësishëm sa akti i anëtarësimit

Zyrtarë të Komisionit Evropian i rekomandojnë institucioneve të vendit që të vazhdojnë programin e reformave në të gjitha aspektet dhe përmbushjen e të gjitha kritereve. Një zotim i tillë nga Ministria e Integrimeve Evropiane nuk ka munguar dhe as nga Kuvendi i Kosovës. Këto konkluzione kanë dal nga takimi i radhës i Task Forcës për Integrim Evropian.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se Republika e Kosovës është në një nivel tjetër të marrëdhënieve me BE-në.
Ndonëse para pak ditësh ministrja ka shprehur zhgënjimin për mosdhënien e dritës për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ajo ka shtuar se kjo për asnjë moment nuk do të lëkund përkushtimin e Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane.
“Një gjë është e qartë. Dinamika në Bruksel dhe ajo në Prishtinë nuk përputhen, mirëpo ne besojmë që vizioni dhe qëllimi është i njëjtë. Ne duam që sa më parë Kosovën ta fusim në trenin e integrimit evropian. Për ne procesi i integrimit evropian është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë akti i anëtarësimit, sepse përgjatë procesit ne do të mund ta transformojmë shoqërinë tonë, do të mund t’i ndërmarrim reformat të cilat në masë të madhe janë të dhimbshme, kryesisht jo popullore, por të domosdoshme për të arritur qëllimin tonë”, ka theksuar Çitaku.
Për më tepër, ajo ka shtuar se në muajt e parë të vitit të ri do të jetë dokumenti diagnozë për strategjinë. Sipas saj, si diagnoza ashtu edhe strategjia i shërbejnë politik-bërjes dhe do të jenë një instrument i rëndësishëm për shoqërinë tonë.
Ministrja ka shtuar se ky mbase është procesi i parë, është dialogu i parë i gjeneruar dhe udhëhequr kryekëput nga elementi vendor.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se kuvendi ka luajtur rolin e vet në procesin e integrimeve, duke e përafruar dhe harmonizuar gjithë legjislacionin e Kosovës me atë të BE-së.
“Kuvendi ka miratuar ligjet që kanë qenë parakusht për procesin e liberalizimit të vizave, duke i dhënë prioritet agjendës së qeverisë në miratimin e legjislacionit. Kemi arritur që 12 ligje të monitorohen nga komisioni parlamentar, monitorim i cili ka qenë bazë kryesore që lidhet me integrimin evropiane, me dialogun për liberalizim të vizave dhe dialogun për sundim të ligjit. Nga 28 prilli 2011 me propozim të komisionit kemi miratuar rezolutën për angazhim të përbashkët të Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe është konsensusi i parë politik i arritur mes partisë në pushtet dhe opozitës”, ka theksuar Haziri.
Ndërkohë, Thomas Gnocci nga Komisioni Evropian ka thënë se në konkludimet e Brukselit përmenden përparimet që Kosova ka bërë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin.
Ai ka thënë se Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim kur të vjen puna te Kosova duhet të jetë korniza kryesore për këto vlerësime, duke mos përjashtuar mundësinë që të ketë një kornizë ekstra për vlerësimin e çështjeve.
“Kosova duhet të vazhdoj programin e reformave në të gjitha aspektet dhe në të gjitha kriteret. Kjo, gjithashtu, do të ndihmoj Kosovën më vonë dhe për këtë arsye unë kërkoj që Kosova të jetë e forcuar, të mos humb pikëpamjet e gjitha proceseve të mbështetura ku i përmenda Raportin e Progresit dhe MSA-në”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer ka përmendur faktin që në BE janë pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, duke shprehur edhe zhgënjimin e tij për mosdhënien e MSA-së për Kosovën.
"Javën e kaluar ka pasur disa zhvillime rreth konkludimeve dhe progresit që ka arritur vendi gjatë periudhave të shkuara si një vëzhgues i jashtëm isha i zhgënjyer, sepse kam menduar se Kosova ka bërë një hap të madh përpara. Këshilli ka theksuar se do të miratoj direktivat për negocimin e MSA-së dhe ofron vlerësimin e raportit që është prezantuar nga komisioni të jetë pozitiv. Ky është një hap i madh përpara për arsye se të gjitha vendet anëtare janë pajtuar që negociatat duhet të hapen”, ka thënë ai.
Ditë më parë, Komisioni Evropian nuk ka miratuar nisjen e negociatave të Marrëveshjes së Stablizim dhe Asocim për Kosovën, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi tek institucionet e vendit. Për mosdhënien e MSA-së për Kosovën, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, problemi është në Bruksel, i cili nuk po arrin të harmonizojë qëndrimet dhe jo në Prishtinë./Indeksonline/