Bllofi i taksës demagogjike zero
Edi Rama u diskreditua, së pari, me librin “Refleksionet” (1991). Është një gjë e pangjarë në veprat e autorëve, që librin ta asgjësojë materialisht vetë autori. E kemi fjalën për vendin tonë. Kjo që ndodhi me përçartjet e Ramës në përkitje më këtë libër, që të mblidhen librat nga janë e nga s’janë e të digjen, është një dukuri e vetme gjatë të gjithë shekujve, e turpshme, madjé. Megjithatë, në librin pasardhës, në vend që të heshtë për njërën nga veprimtaritë e tij të turpshme ai, në “Kurbanin” e tij (2011), përmend litarin në shtëpinë e të vdekurit, duke e cilësuar atë ndjesë pastë librin nr. 1, me mbiemrin “i famshëm”! Mos shprehet me ironi? Aspak! Është në natyrën e tij të veçantë, në atë të Narcizit, që çdo gjë e veta është e denjë për autolëvdata...
Nëse ai është i dështuar si piktor, aq më tepër është dështak si letrar dhe thellësisht shpërdorues i gjuhës së njësuar shqipe. Pa asnjë teprim: shkatërrimtar i standardit gjuhësor. Si “tregimtar” ka bërë përshtypje skandaloze me atë tregimin për Inën e tetëvjeçares, një shkrim që asnjë prej prindërve nuk ia lë në dorë së bijës, për efektet çedukuese, jo vetëm për të miturat, por edhe për të rriturat. Nuk ka guxuar që të ketë folur mbarë për këtë tregim, qoftë edhe një prind, nga militantët më të thekur “të autorit”, autor nën thonjëza, në të vërtetë.
Kështu ky libri i dytë, i shitur si Veprat e Enverit me listë detyruese, duket se po shkon në hullinë e të parit, domethënë në vazhdën e asgjësimit. Nëse në të parin kishte frenimet redaksionale të të ndjerit Ardian Klosi, njohës i shqipes së njësuar - ç’është e vërteta - në këtë të dytin duket se i sapopërmenduri i është shmangur redaktimit. Në faqen 2, pas f.1 me emrin e autorit dhe me titullin e librit, shohim emrat e dy recensentëve. Duket se e ka redaktuar Ardian Vehbiu. Në falënderimet përmendet bash ky person “për korrektimin mjeshtëror të shqipshkrimit” (cituar në f.442). Korrektori, cilësuar si gjuhëtar i specializuar për gjuhësi teorike pranë “La Sapinza-s”, mbase nuk ka mundur të përballet me autorin e librit, i cili ka dhënë pova se nuk i gëlltit lehtë kundërvëniet. Por nga ç’kemi të dhëna nga një artikull i tij në “Përpjekja 18” (vjeshtë-dimër 2003, f. 56), ka njohuri në drejtime të ndryshme, por jo në standardin gjuhësor.
Në faqen 81 autori i “Kurbanit” flet për fillimin e aktivitetit të tij si kryebashkiak “Të ardhurat nga taksat bashkiake u rritën në sinkron me zgjerimin e frymëmarrjes”. Edhe këtu duhet ndonjë nga shërbyeset e Molierit që të flasë qartësisht e kuptueshëm . Vazhdojmë: “Njerëzit s’ishin mësuar të paguanin taksa, bashkia s’ishte munduar t’i mblidhte taksat ose, më saktë, s’kishte pasur, në dekadën e anarkisë urbane, as arsye që qytetarët të kuptonin për çfarë detyrimi në botë duhej të derdhnin lekë në arkën e Bashkisë së Tiranës dhe as arsye që institucionit të qeverisjes së qytetit t’i jepnin forcën morale për të diktuar të drejtën e mbledhjes së taksave. Ai institucion thjesht nuk ekzistonte apo ekzistonte vetëm për të shpenzuar lekë rrogash pa fund për disa punë pa asnjë duk, ku harxhohej në hava edhe ai buxhet cung. Si pastrimi, për shembull, ndërkohë që qyteti dergjej mes plehrave e pisllëkut mbytës; gjelbërimi, ndërkohë, që sipërfaqet publike të regjistruara me ngjyrë jeshile nëpër harta ose ishin kthyer në lëndina ndërtimesh pa leje ose, në ato pjesë të pazaptuara që kishin mbetur kushedi pse, qenë bërë shtresa lluce në dimër e dheu plot pluhur në verë”.
Pra, ky që premton sot taksën zero, kërkonte të përligjte taksën që i duhej në kohën kur ishte ai në krye të bashkisë. Me fraza të ngatërruara na del se njerëzit nuk paguanin taksat se nuk i kërkonte bashkia (nuk u jepte të drejtën morale për të diktuar mbledhjen e taksave). Po pa u dhënë këtë të drejtë morale (të hamendësuar), nuk mund t’i kërkonte taksat bashkia? Taksat paguhen si një detyrim, apo nëse kërkohen? Aq më tepër se ai institucion shpenzonte lekë pa fund apo harxhonte në hava në një buxhet të zbrazët apo cung, sipas gjuhës së zgjedhur të mosnjohësit të gjuhës? Sa për jeshillëkun, e pamë si ishte në kohën e tij 11-vjeçare si kryebashkiak, me plehrat e kazanëve pa kapak, që të qelbnin, me gropat e rrugëve që shndërrohen në rrëké me shiun e parë dhe me pirgjet e dheut mu në qendër të kryeqytetit, që i shndërroi L. Basha në lëndina jeshile. Apo në gropat e rrugëve përreth ministrive. Sa rrugë po ribëhen tani, duke filluar nga kanalizimet, se nuk mjaftoi ajo kohë që të mos kishim asnjë problem me të gjitha rrugët e rrugicat e kryeqytetit? I di shifrat ky propagandist reklamash vetjake? Kur ai flet për kryeqytetin që zhytej nën ujë se pse kanalet qenë pastruar për herë të fundit nga komunistët në ikje, përse nuk u pastruan për herë të fundit gjatë të 11 viteve, kur ai e shikonte me dylbi bashkinë? Bashkia (e ka fjalën për të palodhurin Albert Brojka me subvencione shumë e shumë më të pakta se ai) që “s’kishte zorra uji për ujitje”, e thënë kjo sa për të bërë ilaritet!
Përse nuk thotë se asnjëherë nuk ishte zbukuruar festa e 28 nëntorit si këtë herë, por i duken të gjitha shtyllat metalike të neoneve si shallvare katunarësh! Sepse ishin veshur shtyllat (me trashësinë e një kavanozi) me spirale kuqezi, por mbajtëset e neoneve që kishin trashësinë e një tubi të vurcave të dhëmbëve, duheshin edhe ato të kishin spiralen e ngjyrosur (!). Kujton se me këto krahasime vulgare do të na sugjestionojë lustraxhiu i vetvetes. Sesa estet është ai me llangosjet që i quajti kryevepra se mori bojaxhinj jashtë shtetit, si edhe me bukurinë e mahnitshme të Pallatit me shigjeta (!), këtë ia ka vënë në dukje një ekspert i zanatit, siç është z. P. Kolevica. Por korbi quan më të bukur korbin sesa thëllëzën! Duke shkuar nga dega në degë, Rama shkëputet nga domosdoshmëria e pagesës së taksave, për t’i dhënë edhe një bërdaf Estradës së Tiranës, që e quan “enveriane”, “kthyer në gjysmë në mejhane e gjysmë në skenë vajtuese gaztorësh depresivë të Realizmit Socialist” (Doli që doli nga tema, le të flasë edhe për ato orgjitë e Pezës me hosanatë për Enverin dhe me ovacionet për diktaturën!).
Pastaj rikthehet te dobia e suksesi i mbledhjes së taksave. Po citoj: “Sinjali i parë i ndryshimit në mbledhjen e taksave, përqindja e të ardhurave të mbledhura asokohe, erdhi nga Rruga e ngjyrosur e Durrësit. 100 %! Njëqind për qind e tregtarëve të Rrugës së Durrësit i paguan si asnjëherë taksat, një më një, dhe në vijim, kudo ku ngjyrosej një rrugë ndodhte e njëjta gjë, madje nisi bashkëpunimi me biznesin anë rrugëve, që u bë pjesëmarrës në investimet për ndërtimin e trotuareve, riparimin e ndriçimit, mbjelljen e pemëve, vendosjen e stolave, pusetave, kangjellave dekorative e mbrojtëse”. Sa për pusetat, kur një gazetare e pyeti se vrimat nga vjedhjet e tyre do të shkaktojnë aksidente, përveç plasjes së gomave të veturave, ai u përgjigj, me sy të çakërdisur: - Unë s’jam rojtar, që të ruaj hajdutët!”. “Ajo ishte koha e zëvendësimit masiv të vitrinave të pista e të qepenosura si mos më keq nga frika e hajdutëve. – E pse jeni më të sigurt, kanë sjellë më shumë policë? – Jo, mër lal, ma ktheu, ç’a policësh ?! Është më e sigurt, bojna, drita, pemë, ka lezet!”. Pastaj një gazetare gjermane paska bërë një reportazh për kriminalitetin në kryeqytetet e Euroopës, se Tirana e kishte ndër më të ulëtit e vitit. “Kur pashë ngjyrat dhe shembjet e ndërtimeve pa leje”, më tha, “e kuptova menjëherë nga se ka ardhur!”. Pastaj hyn në përralla sesi ishte bërë ulja e kriminalitetit me anë të asaj që, në paragrafin vazhdues, quhet transformim estetik. Gjithmonë përmendej ndriçimi. Po gjeneratorët që na shurdhonin veshët, ditën e natën, i harroi Narcizi ynë?
Tani Edvini ka harruar edhe një gjë tjetër. Se dikur ngrinte në qiell efektet e jashtëzakonshme të pagesës së taksave, kurse tani na bën propagandë zgjedhore me taksën zero! Por si do t’i bëhet hallit për atë taksën e magjishme e çudibërëse të Shqipërisë me kriminalitetin më të pakët në Europë, që do të na vejë në zero këtë herë! Sidoqoftë atij iu shtua edhe një zanat: se ka gjetur çelësin sesi të ulë kriminalitetin, me artifise estetike! Nuk e ka njohur endé atë lokucionin popullor: Burri im me shumë zanate / Nga të gjitha, asnjë s’pate!