E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bllokimi i ARMO-s, veprim i nxituar"

Konflikti për kompaninë ARMO tashmë ka përshirë edhe ministrat e qeverisë "Berisha", të cilët njëri pas tjetrit mbajnë qëndrime të ndryshme. Përplasja mes forcave të rendit dhe punonjësve tatimorë ishte një shenjë e dukshme se mbarëvajtja për zgjidhjen e problemit nuk ishte e koordinuar si duhet. Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Dritan Prifti, i cili është edhe deputet i Qarkut të Fierit, ka reaguar dje, duke thënë në parim se, "veprimi i punonjësve tatimorë për të bllokuar ARMO-n ishte i nxituar". Dy ditë më parë, ministri i Financave u shpreh pro vendimit të tatimorëve, duke e cilësuar si të drejtë, konform ligjit. "Kompania ARMO mund të ketë probleme, pasi nuk ka paguar një pjesë të taksave ndaj shtetit apo ndaj subjekteve të treta me të cilat punon, por që ta bllokosh për mungesë certifikate prodhimi, kjo më duket jo normale", vuri në dukje kreu i METE-s. Ministri bëri përgjegjëse vetë qeverinë, e cila nuk e ka shitur kompaninë pa dokumentacionin e duhur. Duke mbajtur qëndrim edhe rreth situatës së krijuar me borxhet e "Albpetrolit", Prifti tha se, në kontratën e privatizimit nuk është e specifikuar se kush do t‘i paguajë borxhet e trashëguara. ARMO u privatizua në masën 85 për qind në fund të vitit 2008, për 128 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›