Ekstradohet 54-vjeçari, i dënuar 9 vjet burg
Dje pasdite, Interpol Tirana njoftoi zyrtarisht se, në bashkëpunim me homologët e përtej detit, mundësuan ekstradimin nga Italia të një trafikanti femrash, i dënuar që në vitin 2003 në Shqipëri, për shfrytëzim prostitucioni. I ekstraduari quhet Bedri Tafil Zdrava, 54 vjeç, nga Kuçova, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, në qershor të vitit 2003, e ka dënuar me 9 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese". Mësohet se Zdrava u akuzua atëherë nga prokuroria se ka detyruar me forcë shtetasen N.K. të ushtrojë prostitucion në Itali dhe Francë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, më 28 mars të vitit 2009, u bë arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, akt që u realizua dje. Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku edhe do të vuajë dënimin me burg për 9 vjet.