E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i kamionëve me ndihma, diskutohet sot në Bruksel

Rusia synon që problemet me bllokimin e kamionëve me ndihma në vendkalimin kufitar midis Kosovës dhe Serbisë ta diskutojë edhe në samitin e sotëm të Bashkimit Evropian me Rusinë, i cili mbahet në Bruksel, ka njoftuar agjencia ruse e lajmeve Itar-Tass.
 

Agjencia transmeton deklaratën e ambasadorit rus në Serbi, Aleksandar Konuzin, i cili ka theksuar se “për situatën e krijuar, është njoftuar niveli i latyë në Moskë dhe Bruksel dhe se po kërkohet një zgjidhje”.
 

Sipas ambasadorit rus, karvani me ndihma humanitare për serbët e Kosovës, që gjendet në Jarinjë, është shndërruar në “mjet të shantazhit politik”.
 

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka ofruar dy opsione para autoriteteve ruse; opsioni i parë ka të bëjë me shoqërimin e policisë kur bëhet fjalë për një karvan kaq të madh ndihmash dhe opsioni i dytë është shfrytëzimi i vendkalimit kufitar në Merdare.
 

Të dyja opsionet, ambasadori rus i ka hedhur poshtë, duke akuzuar EULEX-in për njëanshmëri. Karvani përbëhet nga 24 kamionë, me gjithsej 300 tonë ndihmas, kanë njoftuar agjencitë ruse të lajmeve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›