Bllokimi i pronave të Taçit, Braçe: Konflikt interesi i Berishës
TIRANË- Partia Socialiste ka reaguar sot lidhur me situatën e tensionuar në uzinën e Përpunimi të Naftës në Ballsh, pronë e biznesmenit Rezart Taçi. Deputeti socialist Erjon Braçe e ka quajtur këtë, konflikt interesi të familjes kryeministrore.
Një ditë më parë dy polici, ajo tatimore dhe e shtetit u përplasen ne dyert e uzinës. Tatimorja e bllokoi me argumentin se i mungonte autorizimi i një akcize për magazinat tatimore, ndërsa policia e rendit ndërhyri për ta zhbllokuar atë.
Braçe e konsideroi ngjarjen mjaft te rende dhe prove te kapjes se shtetit nga interesat e familjes ne pushtet. "Ngjarja e djeshme është sinjal i vazhdueshëm rreziku per çdo biznes te ligjshëm", tha Brace. PS kërkon transparence në lidhje me këtë çështje në emër të qytetareve. "Për interesat e kujt veprojnë ministri i Financave dhe ai i
Brendshëm që pengojnë Policinë e Shtetit të bëjë detyrën", tha Braçe.
Qeveria, sipas tij, ka për detyre të dorëzojë para organeve te hetimit te gjithe autoret e veprimeve te paligjshme konsumuar një dite me pare nga zyrtaret e dy institucioneve.
Sot, punëtorët në protestë
Një ditë pas bllokimit të aktivitetit të kompanisë ARMO-s, punonjësit e naftës në Ballsh kanë nisur protestat. Të mbledhur para dyerve të ndërmarrjes ata janë shprehur kundër vendimit të marrë nga Tatimorja, të cilin e konsiderojnë të padrejtë.
Sipas tyre, me këtë veprim që ka ndërmarrë shteti po lihen pa punë qindra familje që mbahen vetëm me këto të ardhura.
Aktiviteti i kompanisë për prodhimin e naftës në rafineritë e Fierit e Ballshit u bllokua dje pas një urdhri të lëshuar nga drejtoria e VIP-ve në Tiranë dhe zbatuar nga Tatim-Taksat në Fier.
Shkak është bërë mungesa e dokumentacionit tatimor, për të cilin drejtuesit e ARMO-s kanë reaguar ashpër, duke pretenduar se do ta ndjekin çështjen në rrugë gjyqësore.
"Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave, Fier ka bllokuar rafineritë e Ballshit dhe Fierit e si pasojë dhe punën në Vlorë. Arsyeja është se ARMO nuk ka autorizim akcize për magazinat tatimore. Ky ndalim ka ardhur pas asnjë paralajmërim paraprak pavarësisht se pronarët i kanë paguar shtetit 180 milionë euro dhe e blenë kompaninë pa dokumentacionet përkatëse"- ka thënë drejtori i rafinerisë së ARMO-s Bledar Myrtaj gjatë një interviste televizive.
Sipas tij, i gjithë dokumentacioni që mungon është dorëzuar prej disa kohësh dhe po pritet miratimi i tij nga institucionet përkatëse.