Vasili: Denoncimi për ryshfet, iu kushton vendin e punës
TIRANË - Ministri i Shëndetësisë ka mbledhur drejtuesit e institucioneve shëndetësore në Tiranë dhe rrethe për t'iu kërkuar zbatim rigoroz të sistemit të referimit të pacientit. Ai iu tha drejtuesve se nëse ka denoncime nga pacientët për ryshfet do lini vendin e punës. Ndërsa shtoi se pacientet që nuk ka librezë duhet të paguajë faturat e shtetit, duke përjashtuar këtu kategoritë në nevojë.
"Qëndrimi dhe denoncimi do të jetë i dyanshëm edhe për mjekët edhe për qytetarët që japin ryshfet. Çdo ankesë e qytetarëve për kërkim ryshfeti nga mjeku do të korrespondojë më masën përkatëse administrative ndaj secilit që prish rregullin", iu tha Vasili drejtorëve të sistemit shëndetësor në vend.
Ai iu dha drejtorëve setin e materialeve për sistemin e referimit të pacientit, për t'iu kujtuar edhe një herë kush janë të drejtat e detyrimet e pacientit. Ministri theksoi se çdo qytetar dhe pacient shqiptar duhet të dijë fare mirë se ku duhet të shkojë dhe se çfarë detyrimesh ka ndaj sistemit shëndetësor.
"Kemi një kategori në nivel kombëtar që është objekt i pagimit të sigurimeve shëndetësore dhe kemi disa kategori të mëdha të mbrojtura me ligj, siç janë fëmijët, pensionistët, veteranët, invalidë, që kurohen falas. Të gjithë të tjerët që kanë detyrime të paguajnë sistemin shëndetësor do të paguajnë në mënyrë krejtësisht të rregullt pranë institucioneve shëndetësore", tha Vasili.
Ai shtoi se ne mënyrë kategorike, të gjithë personat që nuk kanë dokumentacionin përkatës kur shkojnë në poliklinikë apo spital do të paguajnë tarifat publike zyrtare që ndodhen të afishuara në çdo institucion.