E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen lojëra fati dhe pub-e të palicencuar

Sarandë. Mësimet që nxirren nga shpërthime si ato të Gërdecit, të cilat hodhën një fshat të tërë në erë, janë të vlefshme për sigurinë e jetës së secilit. Këto ditë pas ngjarjes së rëndë dëgjon të thuhet se "mësime kemi nxjerrë të gjithë". Por më e besueshme është kjo, kur shihet se mësimet kthehen në veprime. "Gërdec" nuk do të kishte, po të kishte qenë një veprimtari e licencuar dhe e kontrolluar. Me këtë arsyetim, në Sarandë, i është shpallur luftë paligjshmërisë në ushtrimin e bizneseve. Kontrolli ka nisur nga disa biznese të konsideruara VIP në një qytet turistik. Fjala është për lokale të lojërave të fatit e pub-et, që mund të kenë edhe dyer e mure prej xhami, por aktiviteti në vetvete është një mister i padukshëm. Këtë tregoi edhe kontrolli i ushtruar në ditët e fundit të javës që kaloi, në disa prej tyre. Megjithëse Saranda mendohet si një qytet me popullsi të pakët, që realisht nuk i kalon 30 mijë banorë, "ustallarët" e këtij lloji biznesi nuk kanë gabuar kur kanë nxituar që në këtë qytet të vogël, të veçantë edhe si qytet tranzit i flukseve të emigrantëve dhe klandestinëve të kufirit, të instalojnë makineri ruletash e lojërash të tjera fati, sa në Sarandë i bie të jetë një e tillë për 5 mijë banorë.

Kontrollet

"Pikërisht kjo na bëri që kontrollin tonë për ligjshmërinë ta nisim nga kazinotë dhe pub-et",- shprehet për "Shqip" Sokol Muço, shef i Policisë Tatimore në Sarandë. Gjatë orëve të natës u krye një operacion blic, për të cilin Policia Tatimore bashkëpunoi me krimet e hapura, krimin e organizuar dhe Policinë e Rendit. Në krye të operacionit ishin shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Viktor Agaj, shefi i Policisë Tatimore, Sokol Muço, shefi i Krimeve, Petrit Bushati, shefi i Krimit të Organizuar Anton Hasanpapaj. Rezultoi që disa prej këtyre aktiviteteve, megjithëse kishin vite që ushtroheshin dhe siguronin fitime, askund nuk figuronin të regjistruar dhe nuk paguanin asnjë qindarkë detyrim në arkën e shtetit. Sokol Muço thotë se të palicencuar janë gjetur një lokal lojërash fati dhe ruletë në lagjen nr.1, me pronar Artur Qendron, si dhe dy pub-e nate, prej të cilëve njeri në lagjen nr. 2, me pronar Vasil Mellon dhe tjetri në lagjen nr.1, me pronar Dhimitraq Beqon. Të tria këto lokale që ushtronin veprimtari biznesi pa leje, janë bllokuar dhe nuk janë lejuar të vazhdojnë aktivitetin. Bëhet e ditur se do të ketë në vazhdimësi operacione të tilla, në kuadër të goditjes së veprimtarive të paligjshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›