E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen pensionet e ushtarakëve

TIRANË- Vendimi i fundit i qeverisë ka bllokuar përfundimisht pensionet suplementare të ushtarakëve dhe policëve në të gjithë vendin. Edhe pse pothuajse kishte përfunduar përllogaritja për secilin prej tyre. Instituti i Sigurimeve Shoqërore nuk mund të nisë me shpërndarjen e parave.


Burime nga ky institucion pohuan se nga ana e tyre ka përfunduar e gjithë procedura dhe nuk ka mbetur më asgjë tjetër për tu bërë. "Ne kemi bërë gati listat, madje edhe i kemi publikuar ato. Tashmë çështja është bllokuar nga ministritë përkatëse",- thanë dje burimet e ISSH-së.


Ato shpjeguan se ky institucion ka mbledhur aplikimin e çdo ushtaraku duke përgatitur një dosje personale për të. Dosjet janë parë edhe nga vetë ushtarakët, të cilët kanë rënë dakord me vlerësimin e ISSH-së.


Në përfundim të kësaj procedure të gjatë ISSH ka përgatitur listat e përfituesve për pension dhe i ka dërguar ato në ministritë përkatëse. "Lista e përfituesve ndodhen në ministri ku duhet të bëhen llogaritjet e fundit. Ne po presim që ministritë të na kthejnë listat e përfituesve duke iu bashkëngjitur edhe pagën referuese në bazë të të cilës do u llogaritet pensioni. Me sa kemi mësuar kjo procedurë është bllokuar për shkak të aktit normativ të qeverisë që ka ndryshuar pagat referuese.


Sapo të na vijnë listat me pagat referuese ne do të nisim punë me shpërndarjen e parave",- thanë burimet e ISSH-së. Akti Normativ i qeverisë pritet që të votohet në Kuvend ditën e enjte. Sipas tij, pensionet suplementare të ushtarakëve do të përllogariten duke marrë për bazë pagën mesatare referuese neto dhe jo pagën bruto.


Kjo do të thotë se para përllogaritjes së përfitimit, nga paga do të zbriten kontributet dhe tatimi duke ulur kështu masën e pensionit. Kështu, kur të bëhet përllogaritja fillimisht do të mblidhen të gjitha pagat dhe do të pjesëtohen duke nxjerrë pagën mesatare bruto nga dita e futjes në punë deri në lirim.


Një gjë e tillë e ul pagën mbi të cilën llogariten pensionet e të gjitha kategorive të përfshira në ligj në masën 50 deri në 60 për qind, për pasojë ul edhe masën e pensioneve të çdo lloji, të plotë, të parakohshëm dhe suplementar. Pra, kësaj mase që mbetet, duhet t'i zbresim edhe 25 për qind.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›