E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora 16.00 paralizohet lëvizja në të gjithë vendin nga protestat e PS-së

Në qytetet e Elbasanit, Fierit, Vlorës, Sarandës, Gjirokastrës, Lezhës kanë vijuar sërish protestat dhe këtë herë në të gjitha qytetet në të njëjtën orë.

Ora 16.00 ka shënuar nisjen e protestës së djeshme të protestuesve mbështetës të socialistëve në të gjithë vendin. Partia Socialiste e Elbasanit ka organizuar protestën në mbështetje të qendrës para KQZ, duke nisur një marshim në këmbë nga varrezat e Dëshmorëve deri në dalje të qytetit në rrugën nacionale Elbasan-Librazhd. Deputetët Valentina Leskaj, Ilir Bejtja, Shega Ligori, Agim Leka, Skënder Hasa, kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, si dhe drejtues të PS-së në Elbasan kanë shoqëruar grupin e protestuesve që me pankarta e thirrje kanë protestuar kundër veprimtarisë së KQZ dhe kundër kryeministrit Berisha. Ndër thirrjet ishin: “Ristani hajdut i votës së lirë”, “Ristanja Berisha, martesa e radhës”, “Ristani vegla e Berishës për të vjedhur votën, poshtë pushteti i hajdutëve, Berisha bllokqen, poshtë qeveria e hajdutve” etj. Fjalën në protestë e ka mbajtur deputeti Ilir Bejtja. Ai ka theksuar se “Berisha duhet të mësojë se tavolina nuk është vendi ku fitohet vota. Vjedh dollapët, vjedh paratë e tani vjedh edhe votat. Ne jemi këtu për të ndaluar lëvizjen në të gjithë Shqipërinë me shumë mbështetës të PS-së e të tjerë. Vota e çdo tiranasi është si vota jonë këtu në Elbasan. Ashtu si i mbrojtëm këtu në Elbasan. Zemërimi ynë është më i keq sesa zemërimi i dikujt që mbron paratë e vjedhura. Ne jemi bashkë këtu në mbrojtje të lirisë, për t’i treguar botës se votat tona nuk mund të vidhen. Një hajdut si Arben Ristani nuk mund të tallet me votat tona. Ne nuk do t’ia lemë pushtetin Berishës, sepse nuk e ka marrë me votë, por e ka vjedhur. Më pas protestuesit kanë vazhduar me thirrjet ‘Edi Rama’. Për shkak të reshjeve të shiut, protesta nuk ka zgjatur aq sa ishte parashikuar. Ndërkohë policia rrugore kishte marrë masa duke bllokuar qarkullimin larg vendit ku zhvillohej protesta. Kjo pengoi acarimin e situatës mes protestuesve dhe mjeteve që prisnin në varg për të vijuar qarkullimin. Sipas deputetes Valentina Leskaj, protestat në Elbasan do të vazhdojnë, duke mbështetur kështu protestat në të gjithë Shqipërinë.

Fier

Është bllokuar sërish nga protestuesit Ura përmbi të ashtuquajturën lumi ”Vija e Ngjalës”, në hyrje të qytetit Fier, në aksin rrugor kombëtar Fier-Lushnjë. Mbështetës të Partisë Socialiste të këtij rrethi, të udhëhequr nga deputetë socialistë të qarkut Fier, kryesuar nga Gramoz Ruci, si dhe drejtues të njësive të qeverisjes vendore, kanë vendosur në hyrje dhe dalje të urës gurë dhe mbetje gomash automjetesh. Ndërsa protestuesit kanë bllokuar të dy krahët e kësaj rruge. Bllokimi është kryer rreth orës 16.45. Policia nga ana e saj nuk ka ndërhyrë. Uniforma të shumta blu të Drejtorisë së Policisë Qarku Fier kanë ndjekur në largësi gjithë veprimet e protestuesve. Në krye të tyre kanë qenë drejtuesit më të lartë të këtij institucioni. Protesta në fakt nisi rreth orës 16.00 në qendër të qytetit Fier. Mbështetësit e Partisë Socialiste kanë nisur marshimin e tyre ashtu si edhe një ditë më parë, duke përshkuar në këmbë bulevardin kryesor të qytetit. Gjatë gjithë rrugës ata kanë hedhur parulla kundër qeverisë Berisha, kreut të KQZ-së, Ristani; si dhe thirrje në mbështetje të kreut socialist Rama. Gjatë kësaj periudhe është bllokuar qarkullimi në këtë aks rrugor. Pasi kanë përshkuar bulevardin kryesor të qytetit në drejtim të daljes së Fierit për nga kahu i Lushnjës, protestuesit kanë vijuar të ndjekin itinerarin drejt lagjes “Sheq i madh”, duke përfunduar në Urën përmbi lumin Vija e Ngjalës. Ata janë shprehur se do të mbajnë të bllokuar këtë pjesë rruge, duke mos dhënë asnjë afat kohor për zhbllokim. Ndërsa qindra automjete janë bllokuar në dy krahët e rrugës në pritje të zhbllokimit të saj, 24 orë pas protestës së parë të socialistëve fierakë, të cilët bllokuan për 4 orë aksin kombëtar rrugor Fier-Lushnjë. Ndërkohë, policia fierake ka filluar procedimin penal ndaj katër shtetasve: Marjus Kita, 23 vjeç; Andrea Kita, 25 vjeç; Nelsid Ballanxhi, 24 vjeç; dhe Hasan Hasanaj, 54 vjeç. Sipas policisë, gjatë mesditës së djeshme këta shtetas, të cilët janë identifikuar si pjesëmarrës në një tubim të paligjshëm, me anë të një automjeti tip Skrep, automjet i cili i përket ndërmarrjes së pastrimit Fier, kanë krijuar një pengesë me materiale të ndryshme dhe inerte, duke bllokuar këtë aks rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›