Bllokohet procesi i numërimit në komunën Shalë

Bllokohet numërimi i votave në komunën Shalë të qarkut të Shkodrës. Procesi i numërimit për të zgjedhur kryetarin e kësaj komune nuk është zhvilluar natën e mbrëmshme, si pasojë e një mosmarrëveshje mes përfaqësuesve të dy kampeve politike.
Mësohet se Partia Demokratike ka tërhequr sekretarin e KZAZ-së, ndërkohë që pritet që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të marrë një vendim për mbarëvajtjen e procesit të numërimit të votave.
Ndërkohë ditën e djelë u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme lokale për komunën Shalë të qarkut të Shkodrës ku kandidojnë përballë njëri- tjetrit Dedë Tonaj nga koalicioni “Aleanca për qytetarin” dhe Bal Vuksani nga koalicioni “Aleanca për të ardhmen”.
Në komunën Shalë të qarkut të Shkodrës procesi i votimit u anulua për shkak se materialet zgjedhore mbërritën gjashtë orë me vonesë nga orari zyrtar, në qendrat e votimit të kësaj komune.